Facebook është përballë me padinë prej gjysmë milion dollarësh për shkak të largimit të profilit të përdoruesit nga New Yorku. Shqiptari nga Mali i Zi Mustafa Fteja, siç raporton gazeta njujorkeze The New York Post, ka paditur rrjetin Facebook për shkak se ia ka hequr llogarinë e përdoruesit pa ndonjë arsyetim.
Në këtë mënyrë, atij i është ndërprerë komunikimi me miqtë e familjen në Mal të Zi, Shqipëri, Gjermani e Austri si dhe i janë shkatërruar kujtimet personale të ruajtura në formë komentesh dhe fotografish, pohon ai.
“Kjo ka qenë mënyra se si kam mbajtur lidhje me njerëzit në botë”, ka thënë Fteja dhe ka shtuar me largimin e llogarisë së përdoruesit ka humbur kontaktin me 340 miqtë e tij online.
Me muaj të tërë ai kishte tentuar të merr vesh nga Facebook pse i ishte hequr profili i tij, por kurrë nuk kishte marrë përgjigje.
“Thërras nuk lajmërohen, shkruaj nuk përgjigjen”, ka thënë Fteja.
“Kam jetuar në shtet komunist në të cilin njerëzit nuk kanë pasur të drejta. Kjo mua po më duket e njëjta gjë”, ka thënë Fteja.
“Nuk e bëj këtë gjë për para, por për drejtësi. Besoj se ajo këtu duhet të ekzistojë”, ka përfunduar Fteja.
Llogaria e tij e përdoruesit në Facebook ishte hequr më 24 shtator. Në padi ai ka theksuar se Facebook e kishte çaktivizuar sepse është mysliman, e vet padia është e bazuar në diskriminim fetar.
“Vetëm një gjë e di, nuk kam bërë gjë. Asgjë nuk kam shkelur”, ka theksuar ai dhe ka shtuar se në të kundërtën nuk do të ngriste padinë.
Facebook nuk e ka komentuar ende këtë rast.