Ushtarët britanikë së shpejti fillojnë të testojnë pajisjen revolucionare e cila mund të përcaktojë pozicionin e saktë të snajperëve armik në një qark prej 900 metrash.Pajisjen e vogël të kompjuterizuar e kanë zhvilluar shkencëtarët e ushtrisë britanike në laboratorin sekret në Wiltshire, e me të është e mundur që të përcaktohet saktësisht lokacioni i sulmuesit i cili hapë zjarr. Pas kësaj ushtarët britanikë mund të kthejnë menjëherë qitjen dhe atë në lokacionin e saktë.
Pajisja është vetëm 312 gramë e rëndë, e ushtari e bart atë në dorë. Ajo është e lidhur me një sensor në krahë i cili përcakton lokacionin e armikut. Testet do të kryhen gjatë javës së ardhshme. Teknologjia e fuqishme përcakton pozicionin e sulmuesit duke treguar koordinatat në ekranin e vogël.
Boomerang Warrior-X është detektori më i avancuar në treg. Atë e kanë zhvilluar shkencëtarët britanikë duke u bazuar në sistemin amerikan i cili shfrytëzohet në betejat në Irak. Burimet e besueshme pohojnë se një pajisje e tillë kushton 10.000 funte. Ushtria britanike ka porositur 1.000 detektorë për trupat e saj në provincën Helmand në Afganistan. Nëse testet tregohen të suksesshëm, edhe ushtarë tjerë do të pajisen më këta detektorë.
Sqarimi i hollësishëm i mënyrës se si funksionon teknologjia nuk është publikuar. Zyrtarët e lartë të ushtrisë britanike thonë se kjo pajisje do të mund të shpëtonte shumë jetë të ushtarëve britanikë dhe se do të paraqes një revolucion në luftim. Sipas tyre, pajisja zbulon zërin dhe në këtë mënyrë edhe pozicion nga i cili është hapur zjarri.