Numri i përdoruesve të internetit në botë ka arritur në dy miliardë, ka njoftuar të mërkurën Sekretari i përgjithshëm i Unionit ndërkombëtar të telekomunikacionit (ITU) Hamadoun Toure.Në fillim të vitit 2000 kanë qenë vetëm 500 milionë parapagues të telefonisë mobile në botë dhe 250 milionë përdorues të internetit “, Hamadoun Toure u ka thënë gazetarëve.
Në fillim të vitit 2011 numri i parapaguesve të telefonisë mobile ka tejkaluar pesë miliardë, e numri i përdoruesve dy miliardë, ka shtuar Sekretari i përgjithshëm i organizatës kryesore ndërkombëtare për telekomunikacion, e cila vepron në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Sipas statistikës së ITU-së, rreth 2.08 miliardë njerëz – respektivisht më shumë se secili banorë i tretë i botës kanë shfletuar internetin gjatë vitit 2010 krahasuar me 1.86 miliardë në 2009. Në vitin 2006 kanë qenë 1.036 miliardë përdorues të internetit.
Për të tretin vit me radhë numri i përdoruesve të internetit është më i madh në shtetet në zhvillim (1.19 miliardë, që është rritje prej 15.6 për qind në mes të vitit 2009 e 2010) sesa në shtetet e zhvilluara (885 milionë, që i bie rritje prej 7.79 për qind për të njëjtën periudhë).
Edhe numri i përdoruesve të celularëve po rritet marramendshëm, me 5.28 miliardë parapagues në botë, nga të cilët gjysma (3.84 miliardë, respektivisht 18.59 për qind më shumë për një vit) në shtetet në zhvillim.
ITU shpreson se deri më 2015 me celularë do të shërbehen së paku gjysma e popullatës së botës.
Sipas të dhënave të ITU-së, numri i parapaguesve të telefonisë mobile me brez të gjerë (3G) pothuajse është dhjetëfishuar për katër vjet.