Rok grupi “Troja” ka ndaluar përkohësisht shitjen e CD-së “Amaneti i Clown-it”, kanë bërë të ditur anëtari i këtij bendi, Bujar Berisha.Arsyeja është te disa mosmarrëveshjeve me kompaninë edituese, e cila nuk ia ka paguar të hollat. Grupi “Troja”, këtë e quan si gabim të tyre, pasi nuk kanë nënshkruar një kontratë paraprakisht.“E kemi ndaluar shitjen e ‘Amaneti i Clown-it’ për shkak të disa mosmarrëveshjeve me kompaninë përkatëse, e cila nuk i ka paguar të hollat. Gabimi ynë ka qenë se nuk kemi nënshkruar një kontratë paraprakisht. Ata mund të kenë shitur diku 2 apo 3 mijë CD, por ajo çka është interesante është se si album nuk shitet më”, është shprehur Bujar Berisha anëtar i grupit “Troja” për të përditshmen “InfoPress”.
Gjithashtu Bujari ka bërë me dije se rok grupi ka marrë vendim se po u gjet qoftë edhe një CD e edituar nga kompania me të cilën ata kishin pasur marrëveshje për shitjen e CD-së, atëherë grupi do të vazhdojë procedurat e tyre në gjyq.
“U kemi thënë që nëse gjejmë në treg vetëm edhe një CD të dizajnuar nga ju, atëherë do t’iu padisim në gjyq. Kështu që mendoj se edhe ata do ta ndalin, sepse tani bëhet serioze. E kemi lënë me kaq pasi nuk kemi pas kontratë paraprake, por shpresojmë që vitin tjetër gjithçka do të jetë më transparente, në çdo aspekt që do të punojmë”, ka përfunduar Bujar Berisha