Mësuesët shqiptarë zyrtarizuan këshillin e tyre në Itali

gezim1

Qyteti i bukur turistik i Italisë veriore ,Bassano del Grappa tashmë është bërë i njohur te mërgimtarët shqiptarë si emër vendi që ka domethënie dhe si simbol i shkollimit shqip .
Puna e veprimtarëve të denjë e shtresuar për 20 vite të aktiviteteve të shumta ka bërë që Shoqata kulturore “Bashkimi Kombëtar” të jetë adresë e njohur për mërgimtarë. Duke bërë të njohur edhe pasqyrimin autentik të vlerave originale të kombit tonë që mërgimtarët kanë bartur me vete si thesar më i çmueshëm i denjë për ta prezentuar me krenari edhe në mesin e banorëve lokalë .
Ka më shumë se një dekadë e gjysmë që ka filluar veprimtarinë e saj Shkolla shqipe e Bassanos duke dhënë rezultate të shkëlqyeshme në edukimin kombëtar të fëmijëve shqiptarë. Me vullnet dhe përkushtim kanë punuar vullnetarisht mësues dhe mësuese të ardhur në këtë provincë nga të gjitha anët e trojeve etnike shqiptare.
Duke u bërë shembull dhe model edhe për shkollat tjera që u hapën pas saj në qytete të tjera si në Montebelluna, Treviso , San Zenone degli Ezzelini, etj., ku kontributin e tyre e dhanë dhe vazhdojnë ta japin edhe disa nga mësuesit që janë dalluar me punën e tyre pedagogjikevite më parë në shkollën e Bassanos.
Duke ecur nëpër këto njëzet e pesë vite të emigracionit shqiptar në Itali , përballë vështirësive të ekzistencës dhe halleve integrimit jo gjithmonë të lehtë, kanë ndryshuar edhe rrethanat e jetesës sidomos për mërgimtarët e veriut të pasur të Italisë. Sidomos kriza ekonomike e pesë viteve të fundit i ka dhënë një goditje të rëndë mirëqenies së familjeve shqiptare që u desht të përballen me sigurimin e mbijetesës duke u detyruar të futen në lëvizje në kërkim të një jete më të mirë.

Si pasojë shkuarja e tyre në shtete tjera si në Gjermaninë e Merkelit, në Zvicërr dhe në vendet skandinave, ka ndikuar edhe në vëllimin e nxënësve që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
Pikërisht sfidat e reja me të cilat u përballën mësuesit si dhe Shoqatat kulturore shqiptare në kuadër të të cilave funksionojnë këto shkolla kanë bërë që kohëve të fundit të organizohen më shpesh takime të rregullta të prijësve të Shoqatave dhe mësuesve, me qëllim të forcimit të veprimtarisë arsimore dhe edukative në mesin e nxënësve shqiptar të mërguar.

Takimi i radhës u mbajt në lokalet e shkollës në Cartigliano të Bassanos në rrugën San Pio x, të shtunën me 10 tetor 2015, ku u takuan për herë të dytë anëtarët e Këshillit të Mësuesve në Italinë Veriore. Në emër të mikpritësve të “Bashkimi Kombëtar” të pranishmit i përshëndeti kryetari i shoqatës kulturore z. Avdi Beqiri i cili duke ju dëshiruar sukses në realizimin e qëllimeve madhore të arsimimit të fëmijëve në mërgatë premtoi se si edhe më parë ,do të vazhdojnë përkrahjen e shkollës shqipe.

Kordinatori i këtij aktiviteti , mësuesi i dalluar i Shkollës së Bassanos, ing. Ragip Thaqi hapi punimet e këtij takimi duke prezentuar në diskutimin e tij ecurinë e zhvillimeve të fundit në këtë lëmi që nga takimi paraprak i mbajtur në të njëjtin vend gjashtë muaj më parë me 19 prill.

shqipeshkollaa

Atëhere temë e diskutimeve ishte realizimi i parimeve të përgjithshme të kurikulës së Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në diasporë duke prezentuar edhe përvoja personale të mësimdhënësve dhe veprimtarëve në përfshirjen dhe realizimin komplet të udhëzimeve didaktike- metodike të kurikulës së ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Këtë herë sipas kordinatorit problemet aktuale të fillimit të vitit të ri shkollor në gjithpërfshirjen e nxënësve shqiptarë në mësimin plotësues janë nxitje për bashkërenditje të veprimeve në përballje me vështirësitë ekzistuese. Pa harruar të përmenden përvojat e mira si pjesëmarrja aktive e nxënësve nëpër në kuize si dhe e mësimdhënësve nëpër seminare të sponsorizuar nga ministritë e arsimit në dy republikat shqiptare.

Shkolla shqipe e Bassanos ka shënuar rezultate të mira në vitin e kaluar shkollor ku kemi zhvilluar mësimin në 2 nivele kurse së shpejti do të fillojmë edhe me nivelin e tretë. Jemi munduar që qysh në fillim të kemi rreth 30 nxënës duke thirrur prindërit që mos të hezitojnë por të na i sjellin fëmijët e tyre pranë dijes kombëtare dhe edukimit shqiptar.

Para se të fillonte diskutimi i të pranishmëve, ish nxënësja e kësaj shkolle Erblina Thaqi recitoi kumbueshëm vargjet e poezisë “Mall” të shkrimtarit të madh Ismail Kadare duke dëshmuar me performancën e saj artistike rezultatin e punës së bërë në kuadër të shkollimit plotësues.
E para që vazhdoi temën rreth shkollimit plotësues ishte mësuesja e nderuar dhe e dashur nga fëmijët dhe prindërit , Merita Bërdica – Kastrati. Ajo foli shtruar duke u nuisur nga pyetja: pse fëmijët shqiptarë nuk vijojnë sa duhet mësimin plotësues në gjuhën shqipe? Në radhë të parë është faktori ekonomik , pra pamundësia e prindit që t’ ia plotësojë dëshirën fëmijës së tij që të mësojë gjuhën shqipe, në këtë krizë që ka pllakosur Italinë dhe si pasojë edhe familjet emigrante që janë pa punë. Mësimi i gjuhës ka vlerë të pakrahasueshme saqë e quaj pasuri të paluejtshme kombëtare. Përpos që kanë gjak shqiptari , fëmijët patjetër duhet të dijnë e ta flasin sa më mirë gjuhën shqipe. Dëshira ime më e madh është që ti grumbulloj të gjithë fëmijët shqiptarë në fundjavë në mësimin plotësues. Ne pos tjerash e shohim baticën e vijueshmërisë së fëmijëve sidomos kur bëjmë përgatitjet e festave të 28 Nëntorit, 17 Shkurtit si dhe ditën e përfundimit të vitit shkollor në qershor kur festojmë edhe përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit., kur sipas rastit kemi një vrull në pjesëmarrje të nxënësve dhe interesim të prindërve.Interesimi i familjeve me origjinë nga Shqipëria për të mësuar fëmijët e tyre shqipen është shumë më inferior se sa ai i familjeve kosovare dhe nga viset tjera etnike. Mos me i mësue gjuhën shqipe fëmijëve tonë është njësoj sikur kemi vra diçka, kur nuk dojmë të angazhojmë fëmijët. Duhet ngritur zërin më shumë për të drejtën e fëmijëve që të jenë sa më të përgatitur. Unë marr shembull edhe nga familjet italiane që kanë emigruar në Francë, edhe pas shumë dekadave fëmijët e tyre e flasin italishten pa u ndierë inferiorë para gjuhës e kulturës së shtetit francez.

Profesori Faik Tafolli, mësues në Shkollën shqipe në Montebelluna, fillimi i të cilës daton nga viti 2004, foli për veprimtarinë e kësaj shkolle dhe punën e tij dhe të mësueses Sanije Berisha.Vitet e fillimit ishin të mbara dhe plot vullnet punohej në tri klasët ku nxënësit mësonin shqip. Kriza ekonomike dhe papunësia i ka shtyrë shumë familje nga kjo anë që përsëri të emigrojnë dhe kjo ndikoi edhe në pakësimin e nxënësve aq shumë sa momentalisht mësimi zhvuillohet vetëm me një klasë. Por nuk duhet ndenjur indiferent para vështirësive. Kam marrë iniciativë të vizitoj nëpër banesat e tyre shumë familje shqiptare dhe duke folur me prindër i njohtoj për rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve të tyre në mësimin plotësues. Ka mirëkuptim dhe dëshirë dhe pres që të shtojmë gradualisht numrin e nxënësve. Dua të flas kjëtu me keqardhje edhe për një dukuri të shëmtuar që dëshmon se faji për këtë gjendje është edhe i prindërve. Më ka ndoshur gjatë vizitave nëpër familje të disa mërgimtarëve të shoh e të dëgjoj prindërit duke komunikuar me fëmijët e tyre në italisht. Unë jam munduar të ndikoj dhe do të vazhdoj edhe më tutje ti bind, por kur e shoh se nuk duan dhe vazhdojnë në atë formë, çohem dhe i dëshpëruar vazhdoj tutje. Por ka edhe shembuj të mirë. Tashmë brezi i dytë që u rrit këtu , pas mbarimit të shkollave dhe studimeve po zënë vende të mira pune duke kontribuar jo vetëm në mirëqenien e familjeve të tyre por edhe për ti ndihmuar edhe vendlindjes, siq është shembulli i Festim Tafollit i cili ka punuar mbi një vit në projektin e bashkëpunimit me Universitetin e Venecias dhe internacionalizimit të Universitetit të Prizrenit.edhe të tjerë si Festimi janë kthyer dhe janë të gatshëm të kthehen e të punojnë në Kosovë, pa pasur kurrfarë vështirësish në integrim pikërisht pse kanë qenë nxënës të rregullt të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Pra ne do të vazhdojmë përpjekjet që të mos shuhet , por të ringjallet aktiviteti i shkollës tonë dhe kërkojmë përkrahje më të madhe edhe nga ministria e arsimit, por edhe do ta forcojmë bashkëpunimin me prindër që fëmijët mos të humbin gjuhën e të parëve.

Mësuesja vlonjate Hedije (Edi) Xhyheri nga San Zenone degli Ezzelini , e cila ka mbaruar studimet e gjuhës shqipe dhe asaj italiane në Tiranë dhe në Venezia foli për fillimin e mbarë të Shkollës shqipe në kuadër të shoqatës kulturore “Lidhja e Prizrenit”. Sapo hapëm shkollën numri i nxënësve ishte shumë i madh, gati nuk po e përballonim, kurse tashmë ka filluar të zbehet. Një pjesë e tyre janë rritur kurse disa kanë emigruar në Gjermani. Për tu njohur më mirë me hallet e familjeve kam bërë një sondazh me nënat me pyetjen pse nuk vijnë fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe. Iu kam folur nënave duke i porositur se deri në moshën 18 vjeçare fëmijët janë të mitur dhe edukimi dhe arsimimi i tyre është detyrë dhe përgjegjësi e prindërve, prandaj duhet ti dërgojnë në shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Gjatë punës sime të përditshme në komunën e San Ezzelino-s kam mësuar nga përvojat e prindërve italianë që kishin jetuar si emigrantë në shtete afrikane, atje ishin ambasadat e Italisë që kujdeseshin për mbarëvajtjen e shkollave italiane dhe paguanin mësuesit italianë për të mësuar italishten fëmijëve . Hedija përmendi edhe rastet e familjeve të përziera ku njëri prind është italian e tjetri shqiptar dhe i dërgojnë pa asnjë problem fëmijët e tyre edhe në mësim plotësues që ta mësojnë gjuhën shqipe.Njohja e vetvetes dhe gjuhës shqipe i bënë krenar që janë shqiptarë nxënësit dhe familjet e tyre , kurse mosnjohja dhe baza familjare që nuk i përcjell fëmijës dashurinë kombëtare e çon fëmijën në gjendje që të mos dijë se kush është.

shqipeshkolla1

Avdi Beqiri , duke u lidhur me temën nënvizoi se nuk po fliste as si kryetar as si mësues por si kontribues i shkollës shqipe. Ky takim është i mirë sepse po flitet për problemet aktuale ku dhe pse nuk po vijohet mësimi plotësues shqip. Vazhdimisht duke shikuar gjendjen reale duhet të marrim shembull se ku janë shkollat shqipe në Evropë dhe sukseset e tyre sidomos aty ku funksionojnë këshillat e mësuesve. Besoj se edhe ky këshill i mësuesve të regjionit Veneto do të ndihmojë të vazhdojmë të jemi të suksesshëm në mbarëvajtjen e shkollave. Në fund ai njohtoi për nismën për të kryer një vizitë te arbëreshët në jug të Italisë në fillim të pranverës së ardhshme, kur atje festohet me kostume dhe valle e këngë popullore arbëreshe të ruajtura qysh nga koha e Skenderbeut. Pres interesimin dhe pjesmarrjen tuaj në këtë vizitë vëllezërve arbëreshë , përmbylli fjalën e tij z. Avdi Beqiri .

Prof. Beqir Cikaqi, mësues dhe kordinator i Shkollës shqipe në Treviso, njohës i mirë i rrethanave dhe problemeve të mësimit plotësues të fëmijëve të mërgimtarëve në Itali, duke i përshëndetur të pranishmit rikujtoi vargjet e Naimit, poetit të madh të Rilindjes kombëtare shqiptare kushtuar gjuhës shqipe : “ Gjuha jonë sa e mirë / sa e ëmbël sa e dlirë…” . Ai foli për riaktivizimin e Shkollës shqipe në Treviso në vitin e kaluar, e cila ishte themeluar shumë vite më parë pastaj kishte njohur një periudhë heshtjeje. Ftesës së mësuesit Cikaqi dhe mësueses Malsore Shaqiri iu përgjigjën plot vullnet dhe dëshirë shumë familje mërgimtare duke dërguar fëmijët e tyre për të mësuar gjuhën shqipe. Dhe nuk do të mjaftohemi me kaq , por duke parë dëshirën e prindërve në komunën Quinto di Treviso si dhe gatishmërinë e veprimtarëve
inxh. Bajram Desku , ish profesor në Shkollën e mesme në Klinë dhe analistit publicistik të pavarur Florim Zeqa , së shpejti do të hapim një klasë dhe do të fillojmë mësimin. Ai duke folur rreth përfshirjes së nxënësve shqiptarë në mësimin plotësues , shprehu shqetësimin e tij për mosvijimin e shkollimit nga fëmijët e familjeve me prejardhje nga Republika “londineze “ shqiptare duke theksuar se më së miri i përgjigjen ftesës për shkollë ata që vijnë nga Kosova dhe Ilirida.Vërejtje të veçantë i kushtoi edhe teksteve që i kanë pëgatitur ministritë e arsimit në Shqipëri dhe Kosovë që të përdoren në këto shkolla në mërgatë. Kam besuar se pas botimit të Abetares unike edhe këto libra duhet të jenë të njëjta . Por e vërteta është ndryshe, e për këtë u binda kur me ftesë të Ambasadës shqiptare në Slloveni, vizituam ambasadorin e nderuar Pëllumb Qazimi i cili na dhuroi me dashamirësi tri librat e botuara në Tiranë për shkollën shqipe në diasporë.Kërkesë e parë nga Këshilli i mësuesve që po formalizojmë sot duhet të jetë kërkesa drejtuar ministrive të arsimit në Tiranë dhe Prishtinë që të ketë libra të njëjtë për nxënësit shqiptarë. Beqiri e përfundoi diskutimin e tij siq e filloi me poezi, duke rikujtuar vargjet epike të poetit Gjergj Fishta : “ Mallku qoft njaj bir shqiptari, / që këtë gjuhë të Perendisë,/ trashëgim që na la i pari,/ trashëgim s’ia len fëmisë”.

Inxh. Bajram Desku nga Quinto di Treviso duke folur për nismën për hapjen e shkollës shqipe edhe në këtë komunë ku ka shumë familje të mërguara nga Shqipëria dhe Kosova, foli rreth përgatitjeve për zyrtarizimin e saj dhe procedurat gati në përfundim për të siguruar lejen për punë dhe lokalin për veprimtari. Tash kemi siguruar sa për fillim rreth njëzet nxënës dhe pritet që pas nisjes së mësimit të shtohet numri i të interesuarve. Vlen të përmendet fakti se interesimi i prindërve është i madh e poashtu edhe i autoriteteve të Quinto-s të cilët edhe më parë nëpërmjet aktiviteteve të organizuara nga Caritas-i kanë pasur vizita dhe kontakte me komunën e Klinës dhe me misionin në Zllakuqan e sidomos kanë dhënë kontribut në familjet kosovare sidomos aty ku ka fëmijë të plagosur si dhe familjet me jetimë, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftën e fundit.Shpresojmë që vitin e ardhshëm do të organizojmë një vizitë të nxënësve shqiptarë dhe italianë në Klinë.

Edhe veprimtari tjetër , analisti i pavarur publicistik, Florim Zeqa foli për mësimin plotësues të gjuhës shqipe si çështje madhore në ruajtjen e traditës , kulturës por edhe integrimin e fëmijëve në vendet ku jetojnë me prindërit e tyre. P.sh. tash në Zvicërr kemi 16 të rinj shqiptarë që kanë konkurruar me kandidaturën e tyre në zgjedhjet kantonale. Fëmijët tonë duhet të arsimohen e e ndonjë ditë të krijohen kushte që kur të rriten edhe të kthehen e të kontribuojnë në vendlindje. E vërteta e mosvijimit të shkollës është problem sidomos mungesa e nxënësve nga Shqipëria: Patriotizmi shifet mirë sidomos nëpër festa por duhet të jemi aktiv edhe gjatë gjithë kohës tjetër.Ai propozoi që duke u bazuar në përvojat e pasura të vendeve tjera ku shkollimi në gjuhën shqipe ka përkrahje institucionale qe shumë dekada , të krijohet edhe një organizëm tjetër i quajtur Lidhje e Arsimtarëve dhe Prindërve shqiptarë (Lapsh) të Italisë së Veriut ku do të kishte përfaqësim të denjë edhetë kërkesave të prindërve mërgimtarë.
Kontribut këtij diskutimi i dha edhe dr.Gëzim Muçolli , duke nënvizuar urtësinë popullore se gjithmonë do të korret ajo çka është mbjellur , duke menduar në frutet e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve të mërgatës , që përballen me 2 realitete paralele : shkollimin e përditshëm të obliguar në shkollat e vendit mikpritës dhe mësimin plotësues në çdo fundjavë.Këtu shifet dobia e madhe në ruajtjen e identitetit dhe formimin e subjektit të ri- nxënësit që kupton, flet dhe shkruan në gjuhën e prindërve duke respektuar rregullat e drejtshkrimit dhe gramatikën shqipe. Pataj edhe eliminimi i tëhuajsimit që jo rrallë e përjetojnë fëmijët e mërgimtarëve kur kthehen verës në vendlindje për të kaluar pushimet. Edhe në komunikimin virtual nëpërmjet rrjeteve sociale vërehet se fëmijët që kanë vijuar mësimin plotësues shkruajnë mirë bile janë shumë të kujdesshëm në përdorimin e shkronjave shqipe si dhe shenjave të pikësimit.Duke shikuar nga këndi i dallimeve socio-ekonomike dhe kulturore , shihet afiniteti dhe mirëkuptimi për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare.Zakonisht në familjet ku prindërit kanë kryer më pak shkollë në vendlindje , vërehet dëshirë më e madhe që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën italiane dhe i lejojnë që të komunikojnë në lojë, në familje dhe në shoqëri me fëmijë të tjerë në italisht duke lënë mënjanë apo harruar krejt gjuhën shqipe. Prandaj mësuesve ju duhet angazhim i dyfishtë dhe duhet punuar edhe në edukimin e të rriturve sipa rregullave të andragogjisë dhe në edukimin e fëmijëve duke zbatuar pedagogjinë.Sepse duke ua mësuar gjuhën, historinë, artin, muzikën shqipe fëmijëve mërgimtarë do të ndihmohet në arsimimin, edukimin dhe kulturimin e vazhdueshëm të prindërve dhe familjes mërgimtare.

Bashkim Bekteshi, nga Ilirida profesor i diplomuar në 2 fakultete e i papunë në vendlindje, i shtyrë nga jeta të marrë rrugën e mërgimit , dikur mësues te shkolla e Bassanos e tash te shkolla në San Zenone degli Ezzelini, duke nënvizuar se kolegët para tij thanë pothuajse gjithë atë që duhej thënë lidhur me gjendjen e shkollimit plotësues në Italinë e veriut, tha se vjen nga Dibra e Madhe e Shqipërisë lindore. Ndarjen na e kanë imponuar përherë gjatë historisë prandaj mos të harrojmë se bashkimi kombëtar bënë fuqinë.Një komb i ndarë me 2 shtete shqiptare, një pjesë tjetër nën Greqi, tjetra nën Mal të zi, e në republikën e Maqedonisë jemi nën robëri.Prandaj këtu shihet sa e madhe është domethënia e shkollës kur në të japin mësim mësues nga të gjitha trojet shqiptare. E meqë shkolla për të ecur mbarë duhen kushte , ne si këshill i mësuesve duhet të bëjmë kërkesë për krijimin e një Fondi material për shkollën shqipe në Itali.
Anila Tozaj nga Shqipëria tha se nuk ka çmim që mjafton për të vlerësuar rolin e mësuesit. Bashkë me kolegen time Olsën kemi ardhur nga Gorizia, nga regjioni tjetër fqinj verior për tu njohur me ju dhe për të shkëmbyer përvojat tona në fushën e arsimimt të fëmijëve dhe multikulturalitetit meqë punojmë si mediatorë kulturorë në vendet ku jemi rezidentë.
Olsa Lula tha se për tu përballur me problemet e vërteta të shkollimit mund të përdoren edhe praktikat e zbatuara në shkollat italiane: unë meqë punoj në shkollë dhe ju mësoj gjuhën italiane nxënësve të huaj që kanë vështirësi integrimi, duke qenë në kontakt të përhershëm edhe me nënat e fëmijëve shqiptarë jemi duke u përpjekur që sa më shpejt të hapim sipas shembullit tuaj edhe një shkollë të mësimit plotësues me klasa në gjuhën shqipe.Presim edhe ndihmën dhe këshillat tuaja dhe do të kemi bashkëpunim të ndërsjellë.

Në fund të takimit sipas propozimit të Prof. Beqir Cikaqit, me vota unanime u zgjodh Ragip Thaqi kryesues i Këshillit të mësuesve shqiptarë të Italisë së Veriut në përbërje të të cilit janë Beqir Cikaqi, Faik Tafolli, Hedije Xhyheri, Merita Bërdica – Kastrati, Malësore Shaqiri, Sanije Berisha, Bajram Desku dhe Bashkim Bekteshi.
Në mbyllje të takimit u zotua që sa më shpejt të përgatitet takimi i ardhshëm ku do të aprovohen rregullorja dhe do të punohet në realizimin e objektivave të përbashkëta të kurikulës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.

 

Author: admin