Sakrifica sublime e Ing.Feriz Gurit – akt heorik i luftëtarit të lirisë

01

Sakrifica sublime e Ing.Feriz Gurit – akt heorik i luftëtarit të lirisë
Të nderuara familje të dëshmorëve,
E nderuara familja Guri.
Të nderuar të pranishëm.
Përjetësimi i dëshmorëve të kombit në libra, dokumentarë, këngë, e kujtesë historike, është vetëm një pjesë e vogël e atij obligimi të madh që kemi të gjithë ne të gjallët e vdekur të kësaj bote. Përmasa e pamatshme e gjakut të dëshmorëve, tejkalon të gjithë kufijtë e mundshëm të paramenduar të orientimit njerëzor në kohë e hapësirë. Sakrifica sublime e tyre është obligim i përjetshëm për çdo lëvizje të qelizës sonë fizike deri në amshim, dhe si e tillë meriton respekt dhe mirënjohje të thellë nga të gjithë ne dhe gjeneratat që vijnë pas nesh.
Një mirënjohje e tillë për një dëshmor të atdheut, është edhe libri monografik “Uragani i UÇK-së, Feriz Guri”, i autorit të nderuar, Nusret Pllana.

02
Ky libër, i punuar me një përkushtim të madh profesional e kombëtar, nxjerr në pah portretin shumëdimensional të ushtarit të lirisë së Kosovës – dëshmorit të kombit Feriz Guri, i njohur në luftë si Komandant Shpata.
Libri në fjalë ka një narracion të shkëlqyeshëm të subjektit monografik, një thurrje pasionante të figurave ideo-artistike, dhe një gërshetim tejet profesional të rrethanave historike me jetën reale të personazhit kryesor.
Rrëfimi për jetën dhe veprën e heroit, shkon në sinkroni me ngjarjet e mëdha historike nëpër të cilat kishte kaluar kombi ynë, e përmes të cilave, heroi ndërton identitetin e vet personal, veshur me petkun e bukur kombëtar.
Që nga çasti kur kishte dhënë betimin para flamurit kuq e zi, se do të luftojë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, ai nuk kishte ndaluar për asnjë çast së vepruari konform atij betimi. Me atë betim ai kalon kufirin e pandershëm administrativ shqiptaro-shqipar, me atë betim merr pjesë nëpër betejat e përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Jezerc e Kaçanik, me atë betim bie dëshmor për të fituar përjetësinë.
Libri monografik “Uragani i UÇK-së, Feriz Guri”, i autorit Nusret Pllana, duket sikur të jetë shkruar me një frymë, dhe me një frymë edhe duhet të lexohet, i pafragmentarizuar, për të kuptuar në përmasa reale, kontributin, mundin, djersën dhe gjakun e dëshmorit.

03
Subjekti kryesor i veprës duket të jetë më tepër i nivelit letrar-artistik, dhe një ndërthurrje mes ngjarjeve reale dhe zhvillimeve historike të kombit tonë, kurse pjesa e poshtëshënimeve (fusnotave), argumenton dhe përforcon pjesën kryesore, përmes literaturës shkencore-historike, dhe sidomos përmes intervistave dhe kujtimeve të gjalla të protagonistëve kryesor, që ndërlidhen me jetën dhe veprën e heroit, siç janë familjarët dhe bashkëluftëtarët e tij të ngushtë.
Duke marrë parasysh edhe pjesën e fundit të librit “Gjurmë lufte dhe heroizmi”, ku në kolor janë radhitur dhjetëra fotografi luftarake dhe familjare të heroit Feriz Guri, na le të kuptojmë se ky libër monografik ka plotninë e tij me të gjitha tiparet e nevojshme për portretizimin e një figure të tillë kombëtare.
Për këtë punë të ndershme dhe kombëtare, përgëzojmë autorin e veprës dhe dokumentarit në fjalë, prof.Nusret Pllana, emri i të cilit asociacion të parë e ka Radio Kosovën e Lirë, e cila në këtë libër figuron edhe si botues. Kjo radio, si një lloj pasardhëse e Radio Zërit të Kumanovës, përmes zërit të Nusret Pllanës dhe UÇK-së, u bë një zë i fuqishëm i lirisë së Kosovës.
Prandaj, përgëzime për gjithë punën dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së luftës, dhe tani në liri, për zbardhjen e të vërtetave të luftës së lavdishme të UÇK-së.
Ju faleminderit.
Dr. Sevdail Demiri,
22.04.2015, QIK, Shkup.

Author: admin