Mozaiku poetik mes mallëngjimit dhe mbijetesës

(Ose motivi i mbijetesës përballë metafizikës në librin “përmallje” të merita bërdicës)

Duke filluar leximin e titullit të librit të poetes Merita Berdica – Kastrati e kisha parasysh pyetjen e madhe se cili është raporti midis mendimit krijues autorial dhe mendimit zbërthyes të lexuesit . Sepse vetë emri mallë i shtrirë këtu si folje “Përmallje” ka një dimension të veçantë për lexuesit e letërsisë shqiptare sidomos për ata që jetojnë jashtë dhe larg vendlindjes.

largea_1397224640

 

Gëzim Muçolli me autoren Merita Berdica – Kastrati

Të flasësh për librin e parë të një krijuesi letrar nuk do të thotë se gjithherë kemi të bëjmë me hapat e parë në krijimtarinë e tij. E këtë mund ta dëshmojë edhe leximi i faqeve të veprës së Meritës, ku dalëngadalë zbulojmë vargnimin origjinal i cili na bind për pjekuri të shkrimit dhe pasuri të vlerë me artin origjinal.

Poetja duke qenë se ka kohë që periodikisht na ka mundësuar të lexojmë copëza të krijimtarisë së saj si në prozë edhe në poezi në rrjetin virtual të internetit, vitin e kaluar tuboi gjithë ato pjesë të krijimtarisë që deshi të na i dhurojë duke botuar në vendlindjen e saj në Shkodrën e lashtë librin “Përmallje”.

Qysh në parathënie autorja na dëfton me sinqeritetin e saj raportin e saj me të kaluarën duke thënë se kujtimet nuk i ngjallin trishtime por një kënaqësi të ëmbël që ushqen vërtetësinë e kohës reale. Pikërisht nga këto kujtime ajo punon me durim dhe zell mozaikun e madh të gjallimit të saj , duke pasur një raport të mirë me kujtime edhe pse një pjesë e të kaluarës ka lënë gjurmat e saj të gëzimeve ,dhimbjeve, mundimeve , trishtimeve, etj.

Pra duke mos mohuar të kaluarën jo aq të lehtë për shpirtrat krijues në një kohë që filloi të ndryshojë vetëm para dy dhjetvjetshave , autorja nuk dëshiron të përmbysë memorien e as të harrojë zymtësinë e asaj kohe të ideologjizuar skajshmërisht deri në militantizmin e çmendur edhe në fushat e artit vështirë të krahasueshëm me kohën e sodit.

Sa i bukur është mendimi i pjekur plot gjallëri brenda vargut që duket sikur do të vlerësojë edhe njëherë edukatën e krijuesit dhe qytetarinë e lindur duke qenë me prejardhje nga një qytet i njohur qe disa mijëvjeçarë për kulturën e tij karakteristike dhe bujarinë autuktone.

Zakonisht kur i bëhet analizë librit , mendimi i parë mund të jetë se duhet zhveshur dhe zbërthyer mendimin nga filozofija e tij , por sot e vërteta është se gjatë leximit kërkohet të zbulohet raporti i krijuesit me vargun e tij dhe niveli i komunikimit me ata që do ta lexojnë pastaj . Sepse libri sot është i lirë nga paragjykimet e kohës që shumica e dashamirëve të artit letrar që kanë moshë madhore e mbajnë mend se ishte kthyer përmbys nga diktatura originale shqiptare.

Autorja na e freskon edhe një herë kujtesën me rrëfimin e saj te poezia “Rinia”

… Në luftën e jetës
krah fëmijëve vrapojmë
koha për një çast na ndalon
në rininë tonë.
A thua të rinj kemi qenë?
Sa herë lind kjo pyetje
Edhe kokën pas e ulim
Se nuk kemi ç’të tregojmë

Dhe pastaj vazhdon :

…Rininë socialiste
ne sot e gjykojmë
në një cep të shpirtit
e ulur qëndron,
e turpshme , e pafajshme
që koha na e diktoi…”.

Dhe poezia tjetër “Na brezat e humbur” kur qëllimisht autorja drejtohet me përshëndetjen mirëmbrëma , sikur don edhe një herë të nënvizojë faktin se ka përfnduar ajo kohë, e fshirë tashmë dhe në “…rrug’ndritun të andrrave reale” pyetjes së të birit se mos ishte një gojdhanë poetja i përgjigjet:

“Jo, biri im , asht një dramë
e rinisë tonë t’përgjumun e t’varfnueme,
që në shpirtrat tanë la kujtime t’paharruemme.”.

Në faqet e librit “Përmallje” autorja i këndon me mallëngjim edhe Shkodrës së saj ,ku ajo ka kaluar pjesën e saj të jetës para shkuarjes në mërgim.

“ Hyjneshë e hyjnive do të thërras
Tabu e gjithë kohrave do të mbetesh…” ,

pastaj duke lartësuar madhështinë e saj,mikpritjen tradicionale dhe rrënjët në historinë e pasur dhe në legjendën e flijimit të Rozafës , ajo thërret:

“… O sa mall për këtë zonjë të randë
për gjakun e gjakut tim,
për traditat e tua,
për shtëpitë e gurta,
për bahçet plot hijeshi,
për karajfilat e drandofilat
që sot ma mbushin zemrën
plot nostalgji,
E unë të përgjërohem…”.
Poetja Merita nuk ndalon vetëm në qytetin e saj por vargnimi plot stil kap edhe temat tjera siq është atdheu ,për të cilin ka bindje se pos historisë dhe bukurive të pakrahasueshme i jep edhe peshën e randë që merr vetëm kur ndodhet atje.

Nëpër faqet e libriit gjejmë plot tabllo artistike me ngjyra që piktorët mund ti lakmojnë , kur shkruan për qiellin, varkën, retë, mëngjese vjeshte, nadje shkodrane, , pranverën, etj, duke na endur motiveve të zakonshme të gjallimit dhe krijimtarisë.

Poetja i shkruan edhe dashurisë plot shqetësime dhe duke pasur drojë se ndoshta nuk mund të jetë poete e dashurisë , kur shkruan :
“…Zjarri i ndezur dhe valëzat e detit
Vetminë ma shoqëruan,
unë nuk kam faj, se dashurinë nuk e njoh,
e kokën kam frikë ta kthej e ta kujtoj
se ajo vetëm më la…”.

Por edhe di ta përshkruajë emocionin e veçantë të ndërlidhur mes mëkatit dhe imagjinatës kur
“… shpirti të shndrrohet në vaj,
dua të jetë reale, ashtu siç jam, unë vetë…”,
sepse kjo i duket si rebelim “nën netët e akullta të dimnit të nxehtë” sepse “…nën harkun e ylberit , që harmoninë krijon,
në zemrat e ndara, dashunia takimet lejon…”.

Gjatë leximit gjejmë se autorja na pasqyron imagjinatën tonë plot dëshmi poetike por edhe mendime të shkruara në prozë në formë skicash të cilave qëllimisht nuk iu ve titull ku na end përballë fateve të personazheve të sotme që të rënduar nga jeta duken sikur vazhdojnë të jenë pasardhës të rrëfimeve migjeniane të dala nga përjetësia e Shkodrës.Ajo na vetdijëson se koha e re ka heronjtë e rinj por edhe personazhet e kronikave sociale të mjerimit që sikur zgjaten me hijen e tyre edhe në këtë kohë.

Edhe fatin e mërgimtarëve e vajton sikur qielli i saj poetik, ku pas reve të lotit plot rrufe e bubullima fatesh dielli nxen nga çdo anë ku edhe buka që hahet gatuhet me

“…Mallkim mbi mendimet e shitueme
lypsar të nji vendi të bekum,
sherbtor t’nji jete t’andrrueme,
shtegtarë t’nji nate pa hanë,
tregimtarë të nji nate pa shpresë,
mshirë-lëpirës t’nji buke të re,
hutinin të refrenit t’friksuem,
dhè i huaj shtrat i pashtrim,
dheu i jot bark i pangimë….
…Harrim mos paç ti i huj,
Robër te zoti jena nji,
barazi t’kemi mbi ket dhè,
ashtu si edhe n’ botën e përtejme.”.

Rrëfimi i sinqertë plot kontraste dhe figura stilistike që nuk iu shtohen motiveve por dalin vet nga ato , duke dëshmuar nga poetja se vargu i saj iu dedikohet lexuesve duke dëshiruar për depërtuar

“…mes fytyrave të njerëzve në kalim,…,
në ditët e të njëjtës stinë
sikur të ishim marrë për tu prerë njëlloj
pa vjeshtën në mes dhe dimrin e zbehtë…

n’ty ,për kalimin ndër dyert e shkronjave
do të pranojnë leje lutjesh vetëm një gërmë
e qarta e vyshkun , e qeshuna mbeti peng
përshpejtuem anesh sysh… rrugës mbeten aty
në ballkonin e qytetit pranveror
nuk çel ylbere në mes…”
Besoj se së shpejti do të kam rast të lexoj edhe librin e dytë plot rrëfime dhe poezi malli e jete siq din ti thurë me mjeshtri dhe delikatesë siq thurnin dikur dantellat çikat shkodrane, vet autorja, mikja jonë e nderuar Merita Berdica – Kastrati.

Urime Meritë.

Author: admin