Liria jonë është shkruar me Alfabetin e gjakut…!

Në qytetin Student të Heidelbergut të Gjermanisë

Prof. Dr. Nusret Pllana
“Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”

Gjergj FISHTA, duke derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës, në vargjet e veta nxjerr klithmën:
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

I përzgjodha këto vargje, mbase e shoh një pikënisje të përbashkët identifikimi me veprën shkencore kapitale të profesor Pllanës“Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”!Shtrohet pyetje pse, ku, si,…?
Fillimisht, për opinionin tonë mbarëkombëtar, prof. Pllana është emër i njohur, është zëri i arsyes të “Kosovës së Lirë”, është emër i njohur në letrat shqipe, por edhe më e hershme është veprimtaria e tij që nga koha e ish Jugosllavisë. Veprimtari e njohur antipushtuese e antiregjim, që shpreh kryeneqësinë individuale kundrejt pathyeshmerisë e mospërkuljes për asnjë çast, për asnjë çmim, mbase “Liria nuk ka çmim”, do të thoshte vetë disidenti. Katrahurat e shtypjes, dhunës, terrorit të atij regjimi të paparë ndonjëherë në globin e njerëzimit, i përjetoi vetë autori, i barti mbi kurriz. Këto përjetime, nëpër kazamatet serbo – sllave, nuk e ligështuan për asnjë çast, nuk e dobësuan as skenarët e inskenimeve, por përkundrazi sikur kalitej edhe më tej, që jo vetëm të sfidojë, por edhe të dalë në mal e ta luftojë pushtuesin shekullor me armë në dorë.

T’i kthehem pikënisjes me vargjet e Fishtës, të cituara më lartë. Gjersa Fishta, siç thashë, nxjerr klithmën e thellë ndaj padrejtësive historike që i bëhen popullit shqiptar, këtë padrejtësi, profesori e justifikon me fakte duke nxjerrë të gjitha viktimat e tribunët kombëtarë që për ideal kishin, asgjë më shumë se lirinë. Pra, janë të dhëna shkencore e të pakontestueshme: vrasjet, pushkatimet, helmimet, pritat, pabesitë…, deri në paradokset që nxjerr regjimi serb, kinse bënë vetëvrasje. Më kujtohet nje koment i atëhershëm i Agjencionit të Lajmeve Jugosllave “Tanjug” se Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka u vranë nga një përleshje e brendshme apo qërim hesapesh mes grupeve ilegale të emigracionit shqiptar. Mbase, rasti i Enver Hadrit, ku nxjerrin tre supozime të mundshme, por më e afërta, gjithnjë sipas tyre, është xhelozia e të dashurës së tij, që kinse kishte një lidhje intime jashtëmartesore me të (fjala është për një femër me origjinë belge)!!! Prandaj, autori i qaset me mishërim kronologjisë së dhimbshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide pushtuesi serb për gati dy shekuj me radhë. D.m.th. synon te del në pah e vërteta e errët apo e pandriçuar, deri më tani, e historisë sonë kombëtare, sa e dhimbshme po aq edhe krenare, mbase liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut.

Formësohet bindshëm thënia, se autori në fjalë, pra prof. Pllana, nxjerr nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë. Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arkiva, duke shpalosur me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Mendoj se, bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejt demantimit të paragjykimeve, përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo balansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstradimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të këlyshëve të Rusisë, siç thotë edhe Gj. Fishta.
Me të drejtë konludoj se, jo që është vetëm një vepër historike që ka munguar deri sot, por është padyshim një e vërtetë e pamohueshme kolosale. Këtu nuk gjejmë të përdorë elemente letrare, estetike, figurative, metaforike, përcjellë me glorifikime, ekzagjerime ose hiperbolizime që zakonisht hasim në krijimtarinë letrare. Jo se është vetëm i saktë në atë që shkruan, por del si një tribun, që shpalosë të vërtetën para hileqarëve “të qytetëruar” të Europës e më gjerë, edhe në ditët e sotme.
Jam thellësisht i bindur, se prof. Pllana është zëri i ashtit dhe gjakut, ëshët zëri i arsyes dhe ndërgjegjes, është zëri që identifikon sot “Kosova e Lirë”!

E FALËNDEROJMË prof. Nusret Pllanën që ka zgjedhur pikërisht Qytetin Student të Heidelbergut, ku Mërgata Shqiptare është bërë pjesë e kulturës dhe integrimit të këtij qyteti, për të promovuar librin e tij, përplot dëshmi, dokumente e vlera kombëtare! E falënderojmë përzemërsisht për praninë e tij, këtu në mesin tonë! Ndërkaq, juve miq e dashamirë të librit dhe ithtarë të së vërtetës, ju falënderojmë për praninë dhe vëmendjen tuaj!

Hasan QYQALLA
Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë

Heidelberg, 18. 01. 2014

Author: admin