FLUTURIMI I SOKOLIT

Olldashi-640x340

Prej sot Sokoli është i lirë.

Të lirë poashtu janë edhe kundërshtarët politikë të tij që jo rrallë ai ua tregonte mënyrën se si mbahet rreshti i drejtë.

Edhe shumë kolegë të tij brenda partisë prej sot janë edhe më të lirë dhe nuk do ta humbin kohën duke ia lidhur këmbët në ecjen e lirë të demokracisë Sokolit i cili jo veq me emër shprehte dëshirën drejt lirisë në hapësirë dhe kohë.

Sot shumë e qajnë Sokolin kush me lot e kush me pengun e ndërgjegjes pse jo rrallë ia kanë errësuar ditët dhe qiellin më shumë se tymi i duhanit që del nga Parlamenti shqiptar.

Sokoli shkoi në udhëtim të përjetshëm nga aksidenti në rrugën që e ndërtoi ministria e tij.

Aksidenti nuk ishte përfshirë asnjëherë në projektet e ndërtimeve rrugore.

As pasojat e mundshme të tij.

Prandaj mu dhimbs shumë Sokoli që vdiq në moshën kur njeriu fillon ti realizojë projektet e para të arta të pjekurisë pas rinisë së parë.

Mu dhimbs sepse më kujtoi rrugën e vjetër nga Durrësi për Kukës deri në kufirin e detyrueshëm me Kosovën që ai e donte patjetër.

Nuk më vjen marre të them se kisha frikë sikur ndodhesha në tjetër dimension kohor kur ngisja makinën asaj udhe ku më shumë kishte murana të ngritura për kujtim të jetëve të humbura në aksidente se sa barriera që sigurojnë makinat për të mos dalur nga rruga drejt e në greminat e veriut.

Edhe dje mungoi një barrierë e tillë për ta shpëtuar Sokolin mos të fluturonte me makinë nga rruga e rrëshqitshme në greminë.

Ndoshta tash do të ketë në vend të saj një muranë të re.

Për kujtim të mungesës së mirëkuptimit.

Për kujtim të punëve që shqiptarët i kryejnë shkel e shko.

Për kujtim të atyre që thonë : Çka të bëjsh në fund të fundit ia bën vetes!

Hej ,barrierat e rrugës kushtojnë më pak se jeta e njeriut.

Po jua them edhe juve që sot jeni ministra të transportit në 2 republikat e popullit shqiptar.

Mua mund edhe mos të më besoni.Nuk ju prish punë ndoshta.

Po duhet t’ju besoni njëzetmijë (20.000) viktimave që kanë humbur jetën vetëm në Shqipëri në 20 vitet e fundit.

Janë shifra lufte, janë numra që dikur frymonin dhe e donin jetën.

Edhe në Kosovë nuk është hiq më mirë.

Mos harroni se barrierat anësore mbrojtëse të rrugëve janë standard.

Edhe i sigurisë së rrugëve.

Edhe i Evropës që e duam kaq shumë deri në pamundësi për të qenë të rregullt.

Mos i harroni as kthesat as bërrylet e rrugëve ku nesër dotë kaloni edhe ju .Mos të dëgjojmë prap atë thënjen e moçme : kuku nanë çka i bana vetit!

Edhe të tjerëve gjithashtu.

Pa fajin e tyre.

E në fund në vend të lamtumirës ngushëllohemi me kujtimin që emri Sokol tingëllon fort mes ëndërrës për fluturim në lartësi dhe shpejtësisë garbitçare të vdekjes që pret me kurthin e saj në aksident edhe prapa një kthese të zakonshme rruge, që qeveria e shtron jo veq për makina por edhe për propagandë.

Sokol na le peng guximin dhe dëshirën e lirisë.

Qetësia qoftë me ty.

 

 

Gëzim  MUÇOLLI 21 nëntor 2013 Padova, Itali

Author: admin