Shpallen të pafajshëm Limaj dhe të tjerët – festohet me fishekzjarre

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përshëndet vendimin për shpalljen të pafajshëm të komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Kryeministri Thaçi thekson se me këtë proces gjyqësor u dëshmua edhe një herë pastërtia e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, që nga fillimi i këtij procesi ndaj komandantit Fatmir Limaj dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së ka besuar fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – thuhet në deklaratën e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtaret e tij janë shpallur të pafajshëm nga gjykata, ndërkohë lirimi është pritur me brohoritma dhe gjuajtje me fishekzjare nga shumë simpatizant të tij.
Gjykata sot për here të dytë e shpalli të pafajshëm Çelikun e UÇK-së. Ai është liruar nga të gjitha akuzat për krime të luftës, me të cilat akuzohej nga prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro. Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Malcolm Simons i EULEX-it, deklaroi se në raport me Limaj nuk kishte asnjë argument fajësues dhe se të gjitha provat e vërtetuan pafajësinë e tij. Pas më shumë se tre vjet përballjeje me akuza tepër të rënda dhe të paargumentuara ndaj Limaj më në fund e fitoi pafajësinë e dytë në këtë rast.
Ne mbrojtja e tij, deklaroi avokati Tom Gashi, e konsiderojmë fitore të Limajt dhe fitore të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit. Në këtë rast u vërtetua se kur nuk ka implikime nga jashtë drejtësia triumfon, deklaroi Gashi.

Në komunikatën e lëshuar nga Eulexi thuhet se këtë pasdite në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it i liroi të pandehurit Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Fatmir Limaj, Behlul Limaj, Shaban Shala, Sabit Shala, Besim Shurdhaj dhe Refki Mazreku nga akuzat për Krimeve të Luftës dhe veprat tjera të ndërlidhura në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”. Po ashtu, trupi gjykues e ndërpreu masën e paraqitjes në stacionin e policisë për të gjithë të pandehurit dhe urdhëroi që atyre t’u kthehen pasaportat e tyre.
Trupi gjykues konsideroi se lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë. Megjithatë, trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera. Në përgjithësi, Trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza. Aktgjykimi me arsyetimin e plotë do të dorëzohet brenda tridhjetë ditëve.
Po ashtu, trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se:
(1) në vitin 1999, UÇK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë.
(2) Disa të ndaluar ishin keqtrajtuar gjatë mbajtjes së tyre në Kleçkë.
(3) Dragoljub Tanaskoviq, Zharko Filipoviq, Zhivota Todoroviq, Dragan Vuçetiq dhe Bojan Cvetkoviq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë.
(4) Veljko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KEQ01 në fshatin Kleçkë.
(5) Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur.
Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e EULEX-it.Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.

I pari që e ka mirëpritur lirimin e tij është kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
“Me rastin e lirimit të Fatmir Limajt dhe the tjerëve nga akuzat e padrejta, Të liruesve ju dëshiroj më të mirat në jetë, punë e familje! Urime!”, ka shkruar Krasniqi në facebook, dy minuta pas marrjes së verdiktit ndaj tyre.

*********
Fatmir Limaj, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazdreku, janë shpallur të pafajshëm në rastin “Kleçka” nga trupi gjykues i këtij procesi gjyqësor, i kryesuar nga Malkom Simons. Ndërkoh është duke u marrë vendimi për të tjerët.

Avokati i Limajt Tom Gashi, tha se Gjykata nuk arriti të gjejë as edhe një fakt të vetëm që deshmon për fajsinë e klientit të tij.

Pritet vendimi në rastin Kleçka

Më shumë se 50 njerëz janë mbledhur para Kinema ABC 1, ku tashmë ka filluar të mbahet seanca gjyqësore e Gjykatës Supreme, për të dëgjuar vendimin përfundimtar të Trupit Gjykues për rastit Kleçka.

Aktgjykimi pritet të shpallet në orën 14:00. Avokatët mbrojtës vlerësojnë se nëse do të respektohet drejtësia, atëherë do të jetë vetëm një aktgjykim, ai lirues për Fatmir Limajn dhe të tjerët. Derisa, ekspertë ligjor thonë se duke parë lëndën dhe provat e paraqitura, patjetër se për të akuzuarit e rastit do të duhej të vinte vetëm aktgjykimi lirues.

Ndërsa, profesori Riza Smaka, i cili thotë se e ka përcjell me vëmendje këtë proces, shprehet se asnjë vendim tjetër nuk duhet të jetë në këtë proces, përveç atij lirues. Unë e konsideroj këtë proces juridiko penal të inspiruar politikisht. Unioni Evropian e ka një politikë absolutisht subjektive dhe tendencioze dhe të papranuar. Sepse tenton ta bëjë një barazim mes palës serbiane dhe shqiptare, kosovare, do të thotë ta bëjë një balancë, se ata kanë bërë krime, ne paskemi bërë krime, që absolutisht nuk qëndron. Sepse ne ishim viktimë, populli ishte i paarmatosur, nuk ishte agresor, aq sa ka mundur të mbrohej është mbrojtur në pragun e vet, në trojet e veta, ndërsa Serbia ishte agresori, hegjemoniste, që bënë krime të papara e që për çudi pikërisht Unioni Evropian i mohojnë apo abstraktojnë, ka thënë Smaka.

Author: admin