Pena e poetit në mërgim zbrazë mall në letër

Nga Miradie Z. Avdullahi Arzignano-Viçencë

Nuk do të jetë ky shkrim as një kritikë, as një esse a recension sepse nuk jam kompetente dhe nuk kam aftësinë për të bërë një hap të madh në atë drejtim. Thjeshtë do të jetë një vështrim imi shumë modest ndaj çasjes së krijuesit, poetit dhe publicistit z. Shaban Cakolli në krijimtarinë dhe në afirmimin e miqve të tij krijues e sidomos të krijuesve të rinj! Kam përcjellur qe disa vite punën e tij të palodhshme dhe duke vërejtur gjithë atë angazhim dhe punë të shkëlqyeshme ndjeva si obligim që në shenjë respekti dhe mirënjohjeje per mundin e tij , të shkruaj dhe unë pak fjalë për të! Mendoj se është një gjë që i takon me plotë meritë edhe pse nuk do të jetë një shkrim kush e di se sa madhështor apo me vlera të larta! Një shenjë nderimi dhe respekti ndaj krijuesit Shaban Cakolli. Ndoshta ditët, vitet e kaluara në mërgim njeriun e sidomos krijuesit që kanë një shpirt poetik i bëjnë të ndjehen më nostalgjik dhe me më shumë mall e dhembje mbi supe për kohën e kaluar në vendlindje përkundraj vështirësive dhe plagëve që i kanë pezmatuar e i kanë vrarë në shpirt organet e atëhershme! Ndoshta për poetin nga gjithë këto vite kaluar në mërgim i bëhet se jo vetëm jeta por dhe vetë bota është shumë e shkurtër, por megjithatë jeta është jetë dhe vetëm njëherë është e mundshme të jetohet, prandaj ajo duhet jetuar ashtu siç vjen e mirë apo e keqe, e lehtë apo rëndë! Fundi i fundit s’është gjë tjetër veçse një rrëfim apo një kapitull i shkurtër romani për pasardhësit! Shpirti i poetit në mërgim tani më ka krahët e pregaditur për të bartur mbi supe barrën e rënd të mallit e dhembjes për atdheun, dhe vetë e vazhdon jetën duke kaluar në një rrugë të hollë bërë prej qelqi që mund të thehet në çdo çast, dhe aty mu në atë rrugë fillon e u jep peshë viteve të shkuara duke pyetur veten : _ Çfarë bëra për veten time? _ Çfarë bëra për të tjerët? Në një situatë të tillë mund të themi se ndoshta ndihet dhe pyetet dhe dhe krijuesi, publicisti e poeti tani më mërgim tash e mbi 20 vite z. Shaban Cakolli Shaban Cakolli u lind në fsh. Krilevë të Dardanës ku dhe mbaroi shkollën fillore për të vazhduar më tutje me atë të mesmen ”Kimiko teknologjike” në Dardanë dhe studimet në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës në “Gjuhë dhe letërsi”. Z. Shaban Cakolli, kishte një fëmijëri jo dhe aq të lehtë, si shumë të tjerë të asaj kohe,në kushte të vështira shkollimi, duke bërë me dhjetëra kilometra rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë, por ajo nuk ishte aspak pengesë që z. Cakolli megjithatë të arrijë dhe të tërheq vëmendjen e mësimëdhënësve me prirjen, zgjuarsinë, punën dhe angazhimin e tij , e sidomos në lëndën e gjuhës shqipe! Ai që në klasët e ulta të shkollës fillore lexoi vepra të shumta dhe krah me leximin filloi dhe vetë të shkruaj. Kështu dhe prirja e tij dhe angzhimi i tij u shpërblye me interesimin më të madh të mësimëdhënësve dhe administratës së shkollës , sepse atë botë e angazhuan atë me shumë aktivitete mjaftë të rëndësishme të kohës!Po atë kohë filloi dhe me botimet e para të krijimtarisë së tij, si në “Rilindja”, “Zëri i Rinisë” dhe në të gjitha revistat e kohës që botoheshin në Kosovë, krijime këto të cilat u pritën shumë mirë nga të gjitha redaksitë dhe se merrte komplimente të shumta nga redaktorët,shkrimtarët, gazetarët të cilët lexonin ato! Shkrimet i vazhdoi dhe gjatë studimeve, dhe me pëfundimin e studimeve shpresoi të punësohej, por fati i keq që përcillte popullin shqiptar që pengohej nga organet e atëhershme me pretekstin gjoja se ishin të papërshtatshëm moralo-politik e në veçanti kjo vlente për rininë që përfundonte studimet siç ishte rasti i z. Shaban Cakolli! Por kjo nuk e pengoi krijuesin e ri që shtegtonte tani më me krenari e ballin lartë rrugës së gjatë krijuese , dhe fillimisht pas studimeve me shoqërinë e tij në fshatin e lindjes me organizime të ndryshme si mbrëmje letrare e aktivitete tjera në fushë kombëtare e kulturore! Mirëpo shpejtë bie në sy të organeve serbosllave dhe kështu puna e tij vështirësohet dhe pengohet dhe nga pamundësia të bëj një rezistencë të qëndrueshme dhe të qëndroj në vendlinje detyrohet që për fat te keq të marrë rugën e mërgimit, e në atë rrugë mbi supe të ngarkojë valixhet e mbushura me kujtimet,dhembjen e mallin që sa ditë e re që vie rëndohet më shumë! Për të lehtësuar këto valixhe dhe mbi supe ti peshojnë sado pak më lehtë, ai dhe në mërgim sprehë lapsin e tij të cilit ia thyen majën dhe përsëri fillon me krijimtarinë e tij aty ku kishte ndaluar!Mirë mund të dallohen dhe dihen se cilat janë krijimet e rinisë të shkruara në vendlindje dhe ato që z. Cakolli i shkruan në mërgim ! Për këtë fletë dhe ai vetë, dhe pranon se frymëzimet janë tjera në vendlindje dhe tjera janë frymëzimet e një krijuesi në mërgim!Përderisa në vendlindje frymëzimet vijnë nga më të ndryshmet, nga një fyell, nga një livadh i bukur në gjelbërim e i mbushur me lule, nga dashuritë rinore, nga ndojnë kalimtar malësor etj. , frymëzimet në mërgim janë krejtësisht tjera dhe nuk mund të krijohet dot varg pa lot, pa dhembje, pa mall e pa nostalgji! Dhe keshtu lidnin dhe tituj siç janë dhe titujt e librave që ka botuar derit tani z. Cakolli, si: “Tokë Dardane”,”Lot atdheu”, “Krisma e fjalës”, “Agsholi”, etj Vargjet e z. Shaban Cakollit janë të fuqishme,të thurura me një mjeshtri të veçant artistike-letrare! Nga vargjet e tija dhembja nxjerr nostalgjinë nga shpirti, e nga plagët e mërgimit kullon malli! Vargjet shpesh janë të shkurta, por që në brendësinë e tyre kush din të zhytet mund të kuptojë se ato flasin shumë dhe se kanë mesazhe të fuqishme, poashtu vargjet e tij tregojnë cilësi dhe nivelin e lartë artistik! Dhe unë besoj dhe jam e bindur se secili që ka rastin të lexoj vargun e poetit Shaban Cakolli, e sidomos ata lexues që ditët e tyre dhe jetën e tyre janë duke e jetuar në mërgim, mund ta ndjejnë thellë dhe mund ta gjej secili së paku një pjesë të vetes së vet mes këtij vargu! Ndoshta ky shkrim imi nuk është në një nivel siç duhet të jetë nga një publicist, kritik apo recensent letrar, por e pash të arsyeshme që mikut tonë ne shenjë respekti dhe falenderimi per afirmimin e penave dhe krijuesve të rinj që ai e bënë me një kënaqësi të veçant, prandaj ju lus të mos jeni shumë kritik ndaj këtij shkrimi , sepse unë vetë e di që nuk është profesional! Miradie Z. Avdullahi Arzignano-Viçencë

Author: admin