MBI 1000 FAMILJE PËRBALLEN ME MUNGESË TË UJIT

Katër fshatra të Komunës së Lypjanit vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit, pasi që pompat e ujit të vendosura në fshatin Vrellë, ende menaxhohen nga ana e Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Banorët e këtyre fshatrave fajësojnë komunën për neglizhencën e tyre karshi këtij problemi ndërsa këta të fundit kanë deklaruar se për këtë çështje kanë kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës, pasi që parcela ku ndodhen pompat e ujit duhet të shpronësohet dhe t’i jepet për menaxhim, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Sadik Dulla, përfaqësues i fshatit Magure, ka pohuar për Kosovapress se ky fshat, dhe tri fshatrat për rreth, Dobraja e Vogël, Vrella dhe Medveci, që nga pas lufta janë përballur me mungesë të theksuar të ujit. Mirëpo, ai thekson se nga privatizimi i Minierës së Goleshit në vitin 2007, furnizimi me ujë të pijes është bërë i pamundur, pasi që parcela prej 10 ari ka mbetur nën menaxhimin e AKP-së.

“Para 6 vjetëve miniera është privatizuar, mirëpo prona ka mbetur nën administrimin e AKP-së prandaj, pas privatizimit kanë filluar problemet dhe tani nuk kemi ujë. Kërkesa kemi bërë, po ashtu edhe protesta disa herë, mirëpo tash Komuna e Lypjanit po arsyetohet se kanë qenë në marrëveshje me AKP-në që t’i zgjedh tri prona të komunës dhe të bëhet ndërrim nën pronën e AKP-së. Këtu janë 10 ari parcelë, uji këtu ka me bollëk, por tek fshati Magure dhe tri fshatra përreth nuk arrin. Po ashtu, janë edhe 5 shkolla me nxënës të cilët nuk kanë ujë të pijshëm”, ka pohuar ai.

Moszgjidhja e këtij problemi, qytetarët i ka detyruar të hapin puse, mirëpo banorët ankohen se jo të gjithë kanë mundësi për një gjë të tillë.

Besim Shahini, banor i fshatit Magure, ka deklaruar për Kosovapress se shumica e banorëve të këtij rajoni nuk kanë mundësi financiare që të hapin puse dhe se të vetmin burim të ujit e kanë çezmën e xhamisë së fshatit.

“Neve jemi detyruar që me vetëfinancim çdo shtëpi të përballet me kursime të shumta që të hapim bunare, apo rrugë tjera për t’u furnizuar me ujë. Por, ne e dimë se jo të gjithë e kanë mundësinë financiare që të bëjnë një gjë të tillë. Por, 90 për qind e banorëve janë detyruar të përdorin ujin e bunarit të xhamisë”, ka pohuar ai.

Rrahman Kadriu, edhe pse i shtyrë në moshë, tregon se çdo ditë është i detyruar të bartë ujë me karrocën e tij për nevoja familjare. Megjithatë, ai shton se uji që bartin nuk është i pijshëm.

“Ne po ballafaqohemi me mungesë të ujit që shumë vite. Të vetmin burim të ujit e kemi këtë çeshme këtu te xhamia. Këtu nuk ka uji kurrë as verës as dimrit. Po arsyetohen se i ka fajet AKP-ja, Komuna e Lypjanit, por ne, kryesorja, ujë nuk po kemi”, ka pohuar ai.

Banorja tjetër e fshatit Magure, Shyhrete Berisha, falënderon përfaqësuesit e xhamisë së fshatit Magure, të cilët ua kanë mundësuar furnizimin me ujë nga pusi i hapur enkas për këtë qëllim.

“Po kemi shumë problem për ujë. Ma shumë nuk po kemi. Mos të ishte kjo xhami kishim mbet pa uji. Po e kemi shumë vështirë, por s’kemi çfarë të bëjmë”, ka pohuar ajo.

Drejtues të Komunës së Lypjanit, nuk e marrin përgjegjësinë për mungesën e ujit në këtë rajon, pasi që pretendojnë se adresa e zgjidhjes së këtij problemi është tek Qeveria e Kosovës.

Florent Hoxha, nënkryetar i Komunës së Lypjanit, ka pohuar për Kosovapress se ky problem do të zgjidhet, kur Zyra e Kryeministrit të jep pëlqimin për shpronësimin e parcelës në fjalë. Sipas tij, pas pëlqimit për shpronësim, komuna do t’i drejtohet AKP-së nga e cila do të kërkojë shpronësimin e pronës ku gjenden pompat e ujit dhe e njëjta t’i kalojë në menaxhim Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”.

“Ne si Komunë jemi në proces dhe kemi kërkuar prej AKM-së, prej vitit 2004 dhe tani prej AKP-së, në mënyrë që ta ndërrojmë pronën ku janë puset në Vrellën e Goleshit, sepse ato puse menaxhohen nga AKP. Komuna e Lypjanit duke marrë parasysh interesin e përgjithshëm të qytetarëve, kemi bërë kërkesë që të ndërrohet prona. Ne e kemi plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe e kemi dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit në mënyrë që të na e jep një pëlqim dhe të vazhdohet me procedurat tjera për bartjen e pronës”, ka pohuar ai.

Arianit Bytyçi, zyrtar për informim në Zyrën e Kryeministrit ka pohuar për Kosovapress se përveç kërkesës së Komunës së Lipjanit, kjo zyrë ka pranuar edhe një numër kërkesash nga komunat tjera, të cilat presin për procedim të mëtejmë.

Këto kërkesa, sipas tij, kanë qenë të thirrura në nenin 12 të Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës, Nr. 04/L-144, mirëpo procedimi i tyre deri më tani nuk ka qenë i mundur për shkak të mungesës së legjislacionit sekondar, i cili e rregullon procedurën e zgjidhjes së këtyre kërkesave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 144-të, ka miratuar Rregulloren për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të Komunës. Pas nënshkrimit të kësaj rregulloreje do të procedohet me të gjitha kërkesat e natyrës se tillë në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Bytyçi, përmes adresës elektronike.

Përderisa ky problem të zgjidhet, mbi një mijë familje, të këtyre fshatrave, do të vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Author: admin