Mania: Të varur ndaj “Facebook” apo thjesht një rastësi?

Një listë me pyetje të thjeshta mund t’ju ndihmojë të zbuloni nëse prania juaj në rrjetet shoqërore është thjesht një pasion i këndshëm apo ka filluar të kthehet në një sëmundje, një fiksim që ju bën dëm
Një 24-vjeçare iu drejtua një klinike psikiatrie në Greqi, duke shprehur shqetësimin më të madh të jetës se saj: “Varësinë ndaj ‘Facebook’”. Ajo kishte nisur frekuentimin e rrjetit social 8 muaj më parë dhe që atëherë jeta e saj kishte ndryshuar për keq. Vajza shprehej për mjekët se kishte në profilin e saj 400 miq virtualë dhe se shpenzonte rreth pesë orë çdo ditë për administrimin e faqes kulturore të krijuar prej saj. Së fundmi kishte humbur dhe punën si kameriere, sepse shkonte vazhdimisht gjatë orarit të punës në një internet aty pranë për të kontrolluar “Facebook”-un. Kishte probleme me gjumin dhe ndjenja të shpeshta ankthi. Gjatë vizitës së 24-vjeçares në klinikë, u vu re nga mjekët se ajo e kontrolloi profilin e saj edhe aty.

Duket se ne jetojmë në epokën e paranojës për të zbuluar, se çfarë po u shkakton interneti mendjeve tona. Duke u frymëzuar nga raste të shumta çrregullimesh mendore, që u drejtoheshin klinikave psikologjike, psikologët vendosën të krijojnë një matës për të zbuluar se kur mania për rrjetet sociale, po del jashtë kontrollit.

Në studim bëhen pyetje të cilave duhet t’u përgjigjesh me shprehjet: “shumë rrallë, rrallë, ndonjëherë, shpesh, shumë shpesh”.

• Kaloni shumë kohë duke menduar rreth “Facebook” apo duke planifikuar përdorimin e tij?

• E përdorni “Facebook” si mjet për të harruar problemet vetjake?

• Ndieni një nxitje për ta përdorur “Facebook” gjithnjë e më shumë?

• Ndiheni të shqetësuar nëse ju është ndaluar përdorimi i “Facebook”?

• Keni kaluar aq shumë kohë në “Facebook”, sa kjo ju ka dëmtuar jetën profesionale apo studentore?

• Keni dështuar në provat për të ndërprerë “Facebook”?

Sipas autorëve, nëse përgjigjet janë më tepër “shpesh” ose “shumë shpesh”, për të paktën katër nga gjashtë pyetjet e bëra, zakoni i “Facebook” mund të jetë duke ju dalë nga kontrolli. Kjo përshkruhet si një shkallë e lartë varësie, por a jeni ju vërtet të varur nga rrjeti social më i përdorur?

Orët e gjata të shpenzuara në Facebook, nuk vijnë vetëm si pasojë e grupit të madh të njerëzve me të cilët mund të komunikosh, por edhe prej larmisë së veprimtarive si për shembull lojëra, lajme rreth personave të famshëm, reklamim i biznesit, të cilat mund të përzgjidhen sipas shijes së secilit.

Thënë ndryshe, “Facebook” ka zbuluar shumë mënyra sesi ta rrëmbejë vëmendjen tonë dhe të na sundojë jetën e përditshme.

Ves apo varësi?

Edhe pse rezultatet e testit janë të ndryshme te secili prej nesh, është e qartë se rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi po del nga kontrolli.

Provoni ta zëvendësoni fjalën “Facebook” me një veprim tjetër rutinë të jetës suaj. Është një mënyrë e mirë për të kuptuar se kur një veprim i caktuar po del jashtë kontrollit dhe po futet në zonën e rrezikut.

Ka shumë mënyra për të zbuluar nëse diçka po kthehet në varësi. Ja disa mendime të zakonshme që kemi mbi to:

• Ato (varësitë) na mbizotërojnë mendimet dhe sjelljen.

• Na kanë ndryshuar mënyrën si i ndiejmë gjërat.

• Të duhet gjithnjë e më shumë për të arritur efektin e duhur.

• E vuan mungesën e tyre nëse heq dorë ose i pakëson.

• Janë në kundërshtim me përgjegjësitë tona të përditshme si puna apo shoqëria.

• Pas mospërdorimit, sjellja e pohon vetë domosdoshmërinë e tyre.

Kur shikon këtë listë të lind pyetja nëse disa nga sjelljet dhe veset tona janë të lindura apo të fituara. Papritur fillojmë të mendojmë se ndoshta edhe sjellje të zakonshme si të lexuarit, të parit televizor apo edhe përdorimi i “Facebook”, mund të na jenë kthyer në vese. Rëndësi ka të mbahet parasysh se çdo veprim që ne kryejmë, ka rrezik të kthehet në varësi, ndryshimi i vetëm është në shkallën dhe kohën që ne i kushtojmë secilit. Mjekët dhe psikologët këshillojnë se çdo gjëje që është pjesë e jetës sonë duhet t’i kushtojmë një kohë të kufizuar, sepse vetëm kështu do të mund t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që kemi.

Author: admin