Marrëveshjet e Qeverisë për ta dëmtuar Kosovën e ndihmuar Serbinë

(Fjala e Glauk Konjufcës dhe Visar Ymerit në konferencën për media në lidhje me marrëveshjen e bërë me 2 dhjetor 2011 në Bruksel, për menaxhimin e integruar të kufijve.)
Glauk Konjufca
Menaxhimi i integruar i kufijve si praktikë e bashkëpunimit të vendeve të BE-së paraqet kulmimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve.
Pra, shtetet jo vetëm janë njohur mes vete, jo vetëm bashkëpunojnë, jo vetëm që nënshkruajnë traktate e marrëveshje, por madje edhe menaxhimin e kufijve e bëjnë në mënyrë të përbashkët.
Ky sigurisht nuk është rasti i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Serbia ia ka djegë kufijtë Kosovës dy herë. Herën e parë pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Kurse herën e dytë më 26 korrik të këtij viti, ose të nesërmen e ndërhyrjes së Qeverisë në pjesën veriore për vënien nën kontroll të dy pikave doganore, 1 dhe 31.
Ajo që u arrit parmbrëmë në Bruksel ndodhi ashtu sikurse që ndodhën të gjitha marrëveshjet me Serbinë deri tash: që të gjitha janë të dykuptimshme. IBM-ja për Serbinë është kufi administrativ, kurse për Qeverinë e Kosovës kufi shtetëror. Për BE-në, ndërkaq është pikëkalim. Në diskursin e BE-së askund nuk i referohet kufijve, çfarëdo qofshin ata sepse BE-ja zyrtarisht nuk e njeh Kosovën, kurse misioni i saj në Kosovë (EULEX) është neutral ndaj statusit. Kjo është e papranueshme. Ne nuk e kemi shpall pavarësinë për vete, por që të trajtohemi të barabartë me shtetet tjera të botës.

Po ashtu, është e papranueshme se si Qeveria e Kosovës ka pranuar që në kufirin tonë të mos figurojnë simbolet e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Politikanët qeveritarë e kanë gojën plot shtetësi, kurse veprimet e tyre krejtësisht kundër interesit shtetëror dhe drejt dobësimit të shtetit. Kjo ndodh për shkak se ata e kanë bërë gabimin e parë. Së pari e kanë heq flamurin kuqezi. Tash krejt këto heqjet tjera janë pasoja dhe rrjedhoja.

Të gjitha marrëveshjet e deritashme që Serbia i ka bërë në Bruksel janë të leverdishme për të.
Ajo që ka ndodh mund të përmblidhet kështu:

Serbia i ka pranuar marrëveshjet.
Nuk po i zbaton fare ato
BE-së po i intereson më shumë a i ka nënshkruar sesa a po zbatohen.
Serbia i ka kaluar pothuajse të gjitha stacionet deri te statusi i vendit kandidat.
Dhe krejt kjo pa bërë asnjë kompromis dhe pa ndryshuar asgjë.
Përkundrazi
Strukturat kriminale mbesin.
Kurse në veri po sundojnë barrikadat.

Serbia fatkeqësisht ka arritur që edhe të ec drejt BE-së, edhe pa bërë asnjë koncesion ndaj Kosovës. Dhe krejt kjo falë politikës nënshtruese të Qeverisë së Kosovës e cila për asnjë moment nuk e pa të arsyeshme të vendoste bash asnjë kushtëzim dhe të mos e nxirrte bash asnjë përfitim, duke shfrytëzuar rrugën e Serbisë për hyrje në BE. Kjo është politikë antishtetërore.

Tash Serbia po e kontrollon politikën evropiane kështu: Serbia po krijon problem artificiale, siç është ngritja e barrikadave. Pastaj e imponon veten si fakto kryesor i zgjidhjes së tyre. Dhe, në fund, si kompensim për heqjen e asaj që vetë e ka vendosur, përfiton në rrugën e saj të integrimit në BE. Dhe pikërisht meqë e mban artificialisht në nivel kaq të ulët politikën kushtëzuese të BE-së, vazhdojnë të mbeten strukturat e saj kriminale në Kosovë dhe askush nuk flet për to. Ta kushtëzosh Serbinë për statusin e vendit kandidat vetëm më heqjen e barrikadave nga veriu do të thotë të jesh përbrenda kornizës së strategjisë serbe.

Serbia duhet të kushtëzohet politikisht. Kjo duhet të jetë njohja e Kosovës. Shuarja e strukturave kriminale. Reparacionet e luftës. Të pagjeturit.

Në deklaratën e Këshillit të BE-së të datës 2 dhjetor thuhet që palët kanë arritur progres edhe në diskutimet për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës si dhe kanë vazhduar bisedimet për telekomunikacion dhe energji. Në fakt, ajo që po vazhdon është mungesa e transparencës për këto tema.

Në fund të kësaj deklarate thuhet që “Pritja është se do të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes prej 26 dhjetorit 2011, që do të rezultojë në udhëtim të lirë për secilin”. Dihet që qytetarët e Serbisë nuk kanë kurrfarë ndalesash kur vijnë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë ndalesa të pakapërcyeshme: ata duhet të bëhen qytetarë të Serbisë duke u pajisur me dokumente të saj për të kaluar kufirin. Pra, këtë marrëveshje duhet ta zbatojë vetëm Serbia me ç’rast BE-ja tregohet tepër e butë me të duke thënë që “pritja është se do të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes prej 26 dhjetorit 2011”!

Pa dyshim që me këto marrëveshjet më të reja, nga pavarësia e Kosovës po kalohet te (për)bashkësia e (ndër)varësia me Serbinë. Këto marrëveshje na afrojnë e na bashkojnë me Serbinë pa u ndarë njëherë mirë prej saj dhe pa u njohur si të ndarë nga Serbia dhe BE-ja.

Visari Ymeri

Qëllimi i Konkluzioneve të Dakorduara të IBM-it është që, ende pa u zbatuar ato, kështu siç janë në letër t’i prezantohen Gjermanisë në mënyrë që Kancelarja Merkel dhe Ministri i Jashtëm Westerwelle ta ndërrojnë mendjen lidhur me dhënien e Serbisë statusin e shtetit kandidat për BE.

Gjermania po mban qëndrim shumë më parimor dhe më të ashpër karshi Serbisë sesa vetë Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet këtyre bisedimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës po ia asfalton rrugën Serbisë drejt BE-së. Kryeministri Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Tahiri janë treguar më shumë se të gatshëm që t’i ndihmojnë Serbisë e cila vazhdimisht po na dëmton neve.

Me avancimin e Serbisë drejt BE-së, më vonë, do ta pësojnë të gjitha shtetet që nuk i do Serbia, pra jo vetëm Kosova por edhe Shqipëria. Për ta ruajtur pushtetin më të korruptuar në rajon Kryeministri Thaçi po e sakrifikon jo vetëm Kosovën por po e cënon edhe Shqipërinë.

Duke thënë që “Njëra palë e njeh vijën si kufi; pala tjetër e njeh vijën si kufi administrativ.” Njihet mosnjohja e kufirit të Kosovës së pavarur nga Serbia dhe mosnjohja e BE-së gjithnjë e më shumë po lidhet edhe me mosnjohjen e Serbisë përveçse me pesë shtet e BE-së që nuk na e njohin pavarësinë.

Fjalia “Njëra palë e njeh vijën si kufi; pala tjetër e njeh vijën si kufi administrativ.” E cila tingëllon që secila palë le ta quajë si të dojë vijën kufitare është mashtruese. Sepse, në tekstin në vijim, në përputhje me qëndrimin e Serbisë për kufirin e Kosovës si kufi administrativ dhe jo kufi ndërshtetëror, pikat kufitare nuk quhet të tilla por emërton pika kaluese. Pra:

Kufi ndërshtetëror => Pika kufitare
Kufi administrativ => Pika kaluese

Kjo s’mund të quhet IBM por IMCP: menaxhim i integruar i pikave kaluese dhe jo i kufirit ashtu siç bëjnë vendet e BE-së dhe siç e kërkon Traktati i Lisbonës.

Instalimi i “objekteve të përbashkëta dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet” me Serbinë, për Kosovën paraqet heqje të kufirit të saj si shtet i pavarur. Në vend se këto objekteve të përbashkëta në vendkalime që s’njihen si pika kufitare në vijën që s’njihet si kufi ndërshtetëror të bëhen me Shqipërinë, Qeveria e Kosovës po i bën me Serbinë.

Zyrtarët e Kosovës në këto objekte të përbashkëta do ta fshehin Republikën e Kosovës dhe nuk do të ekspozojnë asgjë që shenjon apo tregon se Kosova është shtet i pavarur. Arsyetimet e Qeverisë se as Serbia nuk do t’i paraqesë shenjat e saj zyrtare janë të pavlefshme: Kosova është shtet i ri që ka nevojë të njihet e të duket, ndërkohë që Serbia e cila ka edhe ulëse në OKB s’ka nevoja të tilla. Njëkohësisht, kjo do të thotë që Kosova mund t’ia shfaq Republikën e saj Shqipërisë dhe shteteve që na kanë njohur por jo edhe Serbisë kundrejt së cilën Republika e pavarur e fiton kuptimin e plotë.

Për më keq, në secilin nga gjashtë vendkalimet, jo vetëm në ato dyja në veri, do të ndodhet edhe EULEX-i, pra edhe një instancë tjetër që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur përveçse Serbisë.

Po ashtu, grupi trepalësh implementues që do të formohet për zbatimin e këtyre marrëveshjeve (siç quhen këto në pikën 7, pra jo vetëm konkluzione), do të ketë dy palë që nuk e pranojnë shtetin e pavarur të Kosovës dhe madje do të kryesohet nga një palë që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës – BE-ja.

Për të gjitha këto që përmendëm më lart, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të nis me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të paraqitur mocionin e mosbesimit për kryeministrin Hashim Thaçi. Gjithashtu, në javët në vijim, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë tubime me qytetarë, aksione protestuese por edhe demonstrata kundër këtyre marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë që Kosovës po ia tretin Republikën e Serbisë po ia shtrojnë rrugën drejt BE-së.

4 dhjetor 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE!