Semundjet e veshkave, kush rrezikohet dhe si parandalohen

Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm

Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme. Ato kanë role të shumta biologjike. Ato rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si: sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi. Gjithashtu veshkat eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë dhe prodhojnë disa hormone, p.sh. retinën, që ndikon në presionin arterial. Ato nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D. Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me prekje të sëmundjes dhe vdekshmëri të lartë. Gjithashtu ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë.

Të dhënat

Në botë më shumë se 10% e popullsisë së rritur apo 1 në 10 persona, ka ndonjë formë të dëmtimit të veshkave. Pra, 90% e atyre që vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave, mbeten të paidentifikuar. Çdo vit miliona vetë vdesin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave. Prania e sëmundjeve kronike të veshkave lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe nga ana tjetër vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave. Në vendin tonë çdo vit kemi rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave, si glomerulonefrite, infeksione të traktit urinar, nefropati diabetike, kalkuloza renale, etj.

Trendi

Sëmundjet kronike të veshkave, jo vetëm vazhdojnë të rriten në mbarë botën, por edhe po shfaqen në faza mjaft të avancuara. Ato janë cilësuar vrasës të heshtur, pasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave, që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti. Këto terapi janë invazive dhe jashtëzakonisht të kushtueshme si për buxhetet e kujdesit shëndetësor ashtu edhe për ato të familjeve. Pra, sëmundjet kronike të veshkave nuk janë të shërueshme dhe pacienti do të ketë nevojë për përkujdesje për pjesën tjetër të jetës së tij.

Problemet

Sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, shpesh të pavlerësuara, si sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme, të cilat japin rritje të rasteve të sëmundjes e vdekshmërisë dhe kanë kosto të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor. Ndaj duhet të vëmë theksin tek zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave dhe trajtimi i tyre në kohë, pasi zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave do të ishte me kosto efektive. Të dhënat e mirë dokumentuara tregojnë se sëmundjet kronike të veshkave kanë kosto të lartë.

Shenjat

Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave janë ndryshime të urinimit si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj. Shfaqje e edemeve (ënjtjeve) në këmbë, duar apo fytyrë. Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi.

Parandalimi

Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave duhet të bëni rregullisht aktivitet fizik. Marrja me aktivitet fizik në mënyrë të moderuar të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, duke vrapuar, duke lëvizur me biçikletë, etj. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak. Gjysma e njerëzve, që vuajnë nga sëmundja e sheqerit, zhvillojnë dëmtime të veshkave. Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën. Matni rregullisht tensionin e gjakut. Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë gjaku duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes kronike të veshkave. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll. Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe duhet të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura, pra që përmbajnë shumë kripë. Mos pini duhan. Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to, duke ngadalësuar rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmtimin e funksionimit të tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%. Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut. Shumë pacientë, sidomos të moshuarit, pësojnë sëmundje kronike të veshkave, pasi përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe anti-inflamatore, për të qetësuar dhimbje të ndryshme. Bëni ekzaminime, nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut. Secili nga ne duhet t’i kushtojë rëndësi aparatit të tij urinar, duke bërë një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh renale.

Sëmundjet e veshkave, më të rrezikuar janë:

Personat mbi 50 vjeç;

Pacientët që vuajnë nga diabeti;

Pacientët që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut;

Njerëzit me sëmundjeve të veshkave të trashëgueshme;

Njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur;

Duhanpirësit;

Këshilla

Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate;

5 porcione drithëra;

Pini jo më pak se 1,5 litra ujë;

Reduktoni marrjen e kripës;

Dr. Jeta Lakrori, Departamenti i Promocionit dhe Edukimit Shëndetësor në ISHP

Author: admin