Rovena Stefa: Nuk keni c’te me beni, jam e paprekshme

Pavarësisht krizës që ka kapluar ekonominë botërore (edhe atë shqiptare), e reflektuar edhe në jetën e natës, Rovena Stefa nuk ka njohur rënie të numrit të frekuentuesve të club-it të saj në Durrës, aq më tepër që me një rregull të përgjithshëm, për të ruajtur qetësinë në bregdet, nuk lejohet performanca me zë të lartë pas mesnate. Kjo dëshmon se Rovena ka shumë adhurues, të cilët sikurse thotë ajo, janë të gatshëm të vijnë për vite me radhë në ambientet ku ajo performon. “Njëri prej favoreve është që të gjithë ata që më duan, më gjejnë mjaft lehtë dhe madje ka edhe nga ata që vijnë te unë për 4 vite me radhë. E pastaj gjëja më e mirë është që tek unë vijnë shqiptarë të të gjitha trevave, duke shkëmbyer në këtë mënyrë traditat, kulturën dhe të gjithë dashurinë e munguar për gati 1 shekull të tërë. Nuk ka më bukur sesa të gjithë të bashkuar në të njëjtën valle, qoftë ajo e jugut apo e veriut”, – thotë për “Standard” këngëtarja që sapo ka lançuar këngën e saj më të re “Dëgjo Rovin”, në bashkëpunim me Gold Ag dhe Pro Band. Titulli i kësaj kënge ka një histori shumë interesante, që ka lidhje me pjesëmarrjen e saj në “Vip Shtëpia” dhe që Rovena e shpjegon më poshtë… Nuk mungojnë edhe rrëfimet për jetën personale, kuzhinën, thashethemet dhe “përshëndetjen” speciale që këngëtarja fierake u dërgon atyre që e kanë inat!

Rovena, kënga jote më e re “Dëgjo Rovin”, sapo ka dalë me videoklip. Si është pritur nga fansat?

Në fakt, albumi im më i ri mban të njëjtin titull me këngën “Dëgjo Rovin”, bashkëpunim me Gold Ag dhe Pro Band. Ka qenë një punë e madhe nga ana ime që ta mbaroja për këtë verë albumin, sepse kam qenë e mbyllur për 42 ditë me radhë në reality-show-n “Vip Shtëpia” në Kosovë dhe kështu punët më janë ngjeshur se tepërmi. Shpresoj që disa këngë në këtë album, të cilat janë shumë të mira, do të jenë hite për dëgjuesit. Ndërsa kënga “Dëgjo Rovin”, edhe pse ka pak ditë që transmetohet, është pritur shumë mirë dhe kam marrë impakt shumë të mirë nga fansat.

Meqenëse jemi te “Vip Shtëpia”, prej kësaj eksperience derivoi edhe titulli i këngës “Dëgjo Rovin”, apo jo? Si ishte kjo eksperiencë për ty?

Po, është e vërtetë, “Dëgjo Rovin” ishte një shprehje që unë e përdorja shpesh në “Vip Shtëpia”. Gjithë ideja e kësaj kënge ka qenë e grupit Pro Band, sepse shprehja “Dëgjo Rovin” u bë hit në “Vip Shtëpia”. Si ishte kjo eksperiencë?! Për 42 ditë nga jeta ime unë kam qenë e mbyllur në një reality-show, gjë që më ndodhte për herë të parë. Ishte një eksperiencë tepër interesante dhe e veçantë, shumë e veçantë duhet të them, por njëherazi edhe e vështirë, pasi të jetosh me të tjerë karaktere njerëzish, e mbyllur për 24 orë, pa ditur asgjë nga jashtë e duke mos pasur asnjë informatë, është një situatë shumë stresante. Unë ia dola shumë mirë nga kjo eksperiencë, pata një vlerësim të mirë nga publiku në përgjithësi e sa për zënkat, jam munduar t’i shmang sepse në përgjithësi ishin provokime e të kuptueshme. Nuk u mërzita për çmimin e parë sepse këto gjëra dihen, manipulimet janë gjithnjë në gara. Por, duhet të them se veç të tjerash unë u ndava mirë edhe me anën financiare.

Performoni në club-in tuaj në Durrës. Si po ecën këtë vit sezoni veror i turistëve? E ka ndier ndopak edhe muzika krizën ekonomike apo ata që të duan nuk kursejnë për para?

Po, të themi të drejtën, këtë vit ndihet një rënie në numrin e pushuesve në bregdetin e Durrësit, por për këtë ka shumë arsye; së pari, ekonomia e përgjithshme është në rënie; e pastaj jeta e natës në Durrës është e zhvilluar deri diku, pasi orari i muzikës “live” është i lejuar deri në orën 24:00, pra deri në mesnatë, gjë që ndikon në një rënie të ndjeshme të frekuentuesve të clubeve.

Rovena, në verë ti bën bashkë pushimet dhe punën. Si ia del mbanë?

Edhe pse është një periudhë shumë e ngarkuar për mua, me shumë punë, pasi këndoj çdo natë “live”, unë mundohem të bëj edhe pak plazh gjatë ditës, sepse vera ikën shpejt…

Jeni një ndër artistet e vetme (në mos e vetmja) që performon në club-in tënd, një përvojë kjo që e kanë shumë artistë jashtë trojeve shqiptare. Cili është komoditeti që ka një këngëtar në këtë rast, që nuk i duhet të udhëtojë shumë, që fansat dinë ku ta gjejnë etj.? Po ti vetë, e mësuar në udhëtime, nuk mërzitesh që gjatë gjithë verës të duhet të “ngujohesh” te Rovena?

Të këndosh në një vend, ashtu siç e the edhe ti, ka shumë favore. Njëri prej favoreve është që të gjithë ata që më duan, më gjejnë mjaft lehtë dhe madje ka edhe nga ata që vijnë te unë për 4 vite me radhë. E pastaj gjëja më e mirë është që tek unë vijnë shqiptarë të të gjitha trevave, duke shkëmbyer në këtë mënyrë traditat, kulturën dhe të gjithë dashurinë e munguar për gati 1 shekull të tërë. Nuk ka më bukur sesa të gjithë të bashkuar në të njëjtën valle, qoftë ajo e jugut apo e veriut.

Shqiptarët e Kosovës ju duan veçanërisht shumë dhe jo më kot ju një pjesë të mirë të vitit e shpenzoni pikërisht në Kosovë. Çfarë mendon se ju dallon nga artistët e tjerë, që ata ju çmojnë kaq shumë?

Oh, kjo është një pyetje shumë interesante. Nuk mendoj se Kosova më do pasi jam më e mira këngëtare nga Shqipëria, por unë jam shumë patriote dhe jam një partizane e kombit shqiptar dhe ndoshta kjo ka qenë edhe ajo që më ka bashkuar shpirtërisht me Kosovën që ka vuajtur një shekull e ndarë dhe nën thundrën e serbit. Përveç kësaj, mendoj se këngët e mia me tema tepër jetike e shoqërore, më kanë bërë aktuale për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Në një ditë të lirë, pa impenjime, a angazhohesh për të gatuar në shtëpi? Cila është receta jote më e suksesshme?

Unë di të gatuaj shumë mirë dhe miqtë dhe familja ime e dinë këtë, p.sh., një nga provat për ta vërtetuar këtë është ëmbëlsira “Tiramisu” që unë e gatuaj aq të shijshme sa të gjithë e pëlqejnë.

Nga jeta private, çfarë statusi keni aktualisht, nëse mund t’ju pyesim?

Hmmmm, beqare….

Jeni tradicionale, që ju pëlqen martesa apo votoni për bashkëjetesën?

Më pëlqen martesa, por nuk jam kundër bashkëjetesës përpara saj.

Si për çdo personazh publik, në shtyp nuk mungojnë thashethemet. Je mësuar me to tashmë apo ende të bëjnë përshtypje apo të lëndojnë?

Më bëjnë përshtypje kur janë shpifje ose gjykime të padrejta e sipërfaqësore, por në fakt, tanimë edhe nuk më bëjnë më aq shumë përshtypje.

Cila është motoja juaj në jetë, shprehja me të cilën “përshëndesni” ata që ju kanë inat?

Unë shikoj para, eci me 100 km në orë dhe jam gjithnjë në kërkim të suksesit të ri. Armiqve u them: Nuk keni se çfarë të më bëni, jam e paprekshme!

Së fundmi, një këngëtare si ju, me diplomë universitare, a e mendon ndonjëherë veten në punë zyre, një ditë kur të jeni me fëmijë ndoshta?

Unë e mendoj veten të rrethuar plot dashuri në të ardhmen nga familja ime, por edhe nga të gjithë fansat e mi kudo që janë.

Author: admin