Vizitë e mirëpritur e zonjës Merkel

Vizitë e mirëpritur e zonjës Merkel.
Vizita tashmë është një fakt dhe kjo sjell në vëmendje vetë qëndrimin e BE-së dhe rolin e Gjermanisë për të qënë e pranishme me ndikimin e saj në përmirësimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë.
Në retrospekrivën e ngjarjeve dhe lëvizjeve politike e diplomatike të bashkësisë evropiane, me interes për rajonin ballkanik, është vënë re se, konsumohet shumë kohë në trajtimin e çështjeve delikate, por me pak efikacitet mbi politikën dhe diplomacinë e rajonit.
Bëhen levizje politike në nivele të larta, por me kërkesa të përsëritura, të cilat shpesh injorohen nga politikat dhe qëndrimet e shteteve ballkanike. Kjo mënyrë veprimi ka shfaqur natyrën e përkedheljeve që i janë bërë hera herës, veçanërisht Serbisë, e cila për ironi të fatit, edhe pse i kjo sjellje xhentëlmenësh i ka ardhur për shtat, nuk dëgjon më nga ai vesh.
Opinioni është i vetëdijëshëm për ngërçin politik në rajon dhe sigurisht, është i interesuar për zgjidhje të pranuara nga të gjitha palët. Në qëndrimin evropian në çështje të tilla delikate, veçanërisht në marrëdhënie me shtetin dhe politikën serbe, ndoshta do të ishte e arësyeshme që më së pari, të nisej nga fakti i njohjes së krimeve të regjimit fashist të Millosheviçit mbi popujt ballkanikë. Kjo është një nga kërkesat më kryesore, biles pse jo, kërkesa e parë, e cila duhet të pranohet me qëndrim të emancipuar nga politika serbe. Një kapërcim i tillë politik prej saj, realisht do t’i hapte rrugën krijimit të hapësirave të besueshme të komunikimit ndërshtetëror në rajon.
Nuk do të ishte e pranueshme njënëshmëria në mbështetje apo kundërshtim të qëndrimeve të deritanishme. Për shumë arësye objektive dhe subjektive, shtetit të Serbisë duhet t’i kërkohet pariteti. Do të ishte absurditet politik i papranueshëm që, për gjithçka që politika serbe e quan të drejtë për pretendimet e saj, të mos gjykojë se, kjo e drejtë në këtë rast, nuk duhet të pranohet prej pretendimeve që sjell në vëmendje pala shqiptare.
Rrugët e bashkëpunimit përherë janë të çelura. Nën kujdesin e faktorit evropian, të dy këto shtete të pavarura, duhet të pranojnë që hap pas hapi, të heqin ngarkesat e tepërta në marrëdhëniet midis tyre. Askush sot nuk ka të drejtë të ushtrojë autoritetin paternalist mbi shtetin e Kosovës, për shkak të pozitës së vështirë që ka ajo në rrugën e konsolidimit.
Orientimi politik evropian drejt integrimit të Serbisë dhe Kosovës në BE, mbetet një opsion i hapur. Procesi i integrimit të këtyre dy shteteve drejt Bashkimit Evropian, nuk mund të bëhet pa i kapërcyer konfliktet e dyanëshme, sepse në natyrën integruese të politikës evropiane, nuk mund të pranohet që kjo bashkësi të fusë “zjarrin” brenda vetes, duke u zgjeruar me shtete që kanë probleme të mprehta midis tyre.
Është në interes të BE-së që të ketë një program dhe veprimtari të organizuar për integrim hap pas hapi të tyre. Ne shpresojmë se këto opsione mund të jenë një prej lëvizjeve në kohë të vetë kancelares gjermane Merkel, në drejtim të Beogradit, Sarajevës apo dhe Prishtinës.
Për këtë arësye, vizita e zonjës Merkel në rajon është e mirëpritur dhe sigurisht në vëmendje maksimale për arritjet e saj, të cilat ngjallin interesin e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Ajo, si një drejtuese e një vendi të madh të Bashkimit Evropian, gëzon autoritetin e mjaftueshëm për të ndikuar me efikacitet në ato shtete të bashkësisë evropiane, të cilat padrejtësiisht dhe me kokëfortësi, për interesa utilitare ende nuk duan ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo situatë zbulon edhe një herë faktin se, rruga drejt integrimit evropian ende është e papërfunduar.
Politika gjermane i ka potencialet e mjaftueshme, jo vetëm për të përballuar ngarkesat e momentit në sfondin ekonomik, si një fuqi e madhe eksportuese, por të ndikojë fuqimisht në stabilizimin e situatave konfliktuale politike në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Për këtë arësye, edhe politika dhe diplomacia rajonale, e ka të nevojëshme të jetë shumë e vëmendëshme ndaj reagimeve të fuqishme evropiane, duke treguar në çdo rast distancimin nga klanet dhe konjukturat ekstremiste nacionaliste, të cilat deri më sot janë bërë shkak i trazimeve të rajonit. I urojmë suksese kancelares gjermane Angela Merker në vizitën e saj në rajonin ballkanik.
Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ)
Tiranë, 21 gusht 2011.

Author: admin