Deklaratë e Unikomb-it

UNIONI KOMBËTAR SHQIPTAR
KËSHILLI KOMBËTAR

Tiranë, më 21 gusht 2011

Për opinionin publik shqiptar kudo!
Institucioneve shtetërore Tiranë dhe Prishtinë!
Këto ditë në internet opinionit i është bërë e ditur ekzistenca e një organizate ilegale me emërtime të çuditëshme, “Forcat e Armatosura (AKSH & SKSH) të Shqipërisë Etnike (FASHE)”, e cila i vë kushte gati urdhëruese, përfaqësuesve më të lartë të institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, Presidentes së Republikës, zonjës Atifete Jahjaga dhe Kryeministrit, zotit Hashim Thaçi.
Deklarata ultimative se, “…nëse deri në 30 shtator nuk do të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK)”, atëherë në të kundërt, “ FASHE do të detyrohen të rifillojnë veprimet e tyre luftarake në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, është qëndrim ekstremist ilegal me pasoja destabilizimi, në prag të vizitës së kancelares Merkel në Beograd, Sarajevë e Prishtinë, është një mashtrim i radhës i organizatave fantazma, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me qëndrimin korrekt të organizimeve patriotike në shrbim të çështjes kombëtare shqiptare.
Unioni Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB) u drejtohet të gjitha organizatave shoqërore e patriotike, të pozicionohen dhe të distancohen publikisht ndaj rastit të ndërhyrjes brutale që u bëhet figurave kryesore politike të Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë që institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare po punojnë për konsolidimin e pavarësisë së saj dhe vendosjes së sovranitetit të plotë në kufijtë shtetërorë.
Deklarata dhe qëndrime të tilla separatiste nuk janë gjë tjetër, veçse një goditje e planifikuar kundër elementëve shtetformues të shtetit të ri të Kosovës, një shërbim që po i bëhet filozofisë përçarëse e destabilizuese serbo – greke kundër Kombit Shqiptar.
Është në nderin e tërë përfaqësuesve të lëvizjes kombëtare shqiptare kudo, të distancohen nga elementë të tillë destabilizues, të cilët në të gjitha format, po sulmojnë unitetin tonë kombëtar me anë të armatave imagjinare e fantazma, të cilat asnjëherë nuk do të arrijnë të bëhen pjesë e zhvillimeve në planin kombëtar. Me ose pa dashje, në këtë mënyrë po i shërbehet strategjisë së ekstremizimit nacionalist serbomadh dhe disa pinjollëve të “megalidhesë”.
Unioni Kombëtar Shqiptar shpreh qëndrimin e tij institucional, duke denoncuar publikisht të gjitha llojet e “ultimatumeve” që godasin institucionet legjitime shqiptare dhe që i shikojnë veprimtarinë institucionale vetëm zi, edhe kur ato kryejnë veprime në interes të ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore të shtetit të Kosovës, në interes të unitetit kombëtar dhe të vetë Ribashkimit Kombëtar.
Ne mbështetim veprimet e institucioneve shqiptare kur ato janë me synime të mira shtetformuese, dimë të mbajmë qëndrime e të bëjmë edhe vrejtje për punën e tyre, por kurrë nuk do të mbështesim armata imagjinare qëllimkëqia, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e luftrave çlirimtare të popullit shqiptar. Qëndrime e ultimatum të tilla kanë në thelb qëllime destabilizuese dhe ato tentojnë të dekurajojnë edhe shtet miq, të cilët na mbështesin në rrugën tonë të përbashkët drejt Ribashkimit Kombëtar.
Zëdhënsi UNIKOMB
Gani Abazi
21 gusht 2011.

Author: admin