Kujdes me pijet energjike

Shkencëtarët këshillojnë të alarmuar që problemi më tepër qëndron te sasia, të mos teprohet me të dhe ka shumë rëndësi mosha e atij që i pi. Është pije për të rritur dhe jo adoleshentë dhe shkaktojnë edhe tumore. Këtë e pohon Fondi Botëror i Studimeve mbi Kancerin.

Të bëjnë me krahë. Si një ‘deux ex machina’, magjike, me efekt të pazakontë dhe të menjëhershëm. Si ‘kot pa lidhje’, do t’i përkufizonin po shkurt dhe shpejt rëndom adoleshentët shqiptarë me gjuhën e tyre. Pije energjike për ta bërë sa më të gjatë dhe efektshme ditën, për të sfiduar natën, për të kapur maksimumin e energjive dhe çdo të mire që vjen prej tyre. Për ata që studiojnë dhe pastaj shkojnë të kërcejnë deri vonë, për shefat që kanë shumë stres, angarira dhe mbledhje, për ata që drejtojnë makinat me kilometra të tëra. Janë elisir për të pasur paraqitjen fizike dhe balsam për ankthin, duke çliruar humorin e duhur. Taurinë, glukoronolat, guarana, ginseng, aminoacid dhe karbohidrat për të cilat përsëri dyshohet shumë, por që në fakt janë substanca të pranishme në organizëm dhe në ushqime të tjera si vera e kuqe dhe molusqet. Por këto përzierje bashkë janë koktejl për të pamposhturit. Ja disa emra të tyre: Burn (zjarr), Relentless (i paepur), Vault (hedhje), No Fear (jo frikë), Estreme, Samurai, Atomic, Dinamite etj.

Ndonjëherë me vitamina dhe kripëra minerale. Një alkimi gjeniale ushqyese dhe kulturore, por.. nëse për pak çaste të bëjnë të fluturosh lart, duke të çuar drejt fuqive të epërme, fshehtazi ‘me hile’ grumbullojnë pak nga pak më shumë çaste kur këto krahë do të dobësohen keqazi. Veç të mirave të përkohshme që kanë, ka dekada që studime, shkencëtarë, media botërore flasin e flasin edhe rreth dëmeve të pijeve energjike. Shkencëtarët, mjekët nëpër botë, që janë marrë me studime rreth tyre, këshillojnë të alarmuar që problemi më tepër qëndron te sasia, të mos teprohet me të dhe ka shumë rëndësi mosha e atij që i pi. Është pije për të rritur dhe jo adoleshentë. E të pihen së paku një herë në javë dhe jo në sasi të tepruara, sepse shkaktojnë edhe tumore. Këtë e pohon Fondi Botëror i Studimeve mbi Kancerin. E sidomos të dëmshme janë nëse përzihen me alkool.

Por tek ne nuk bëzahet pothuajse fare rreth kësaj të keqeje. Një pjesë e medias të cilës i kap veshi diçka, nuk bëzan rreth dëmeve, sepse ushqehet nga reklamat e importuesve të tyre. Por masa e gjerë dhe e gjorë e njerëzve, të cilëve ende nuk i kanë mbërritur valët informative rreth dëmit, pinë e pinë tërë qejf dhe hapin sytë nga habia kur rastësisht dëgjojnë se ato bëkërkan edhe dëm. Sa herë e lëshon me dëshirë drejt tyre një këshillë, vështirë se has që ta dinë këtë informacion. “E pse bëka dëm?’, ‘Ç’ne?!’, pyesin rëndom. “Unë i pi pijet energjike kot për qejf. Më pëlqen shija. Jam mësuar”, thotë dikush. “Po nuk piva pije energjike, nga tre në ditë, nuk punoj dot. Ato më japin fuqi, se vuaj nga anemia’, thotë dikush tjetër. Një tjetër ka punë shumë të lodhshme dhe…pijnë sërish edhe disa në ditë. Ka dhe moskokçarës, që e presin pa iu bërë shumë vonë të keqen, sepse ende nuk janë ndërgjegjësuar për të, sa nga mosha e parritur, sa nga niveli kulturor. E vazhdojmë të dëmtohemi derisa ia bëjmë ‘bam!’ nga të këqijat që na sulmojnë nga të katër anët, e nga vetvetja.

Akuza për dëme pijet energjike kanë pasur në gjithë botën që nga vitet ’80, kur ato nisën udhën e tregtisë botërore. Alarme në dy vitet e fundit vijnë nga SHBA për sjellje të shfrenuara, në limit ekstreme, që çojnë në seks të pambrojtur apo akte dhune nga ata që përdorin pije energjike. Sidomos mes adoleshentëve ato sjellin qëndrime devijuese me predispozicionin për probleme në shëndet dhe sigurinë vetjake. Në studime që janë bërë në shkollat amerikane, konkretisht në dhjetë universitete në Karolinën e Veriut, ata që përzienin pije alkoolike me pije energjike deheshin dyfish. Ndërkohë, shoqatat dhe prodhuesit e pijeve u mbrojtën me idenë se janë pije për të rritur dhe në çdo vend të botës ku ata janë të pranishëm nuk ka pasur efekte të dëmshme. Autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë kanë nxjerrë përfundimin se produkti është i sigurt për t’u konsumuar. Të dhënat klinike, testet dhe analizat toksikologjike të shoqëruara me studime pararendëse kanë arritur të pohojnë se prodhimi është i sigurt, por ka vende si Franca që ende nuk i qasin pije të tilla tek dera. Studiuesit brazilianë Souza-Formigoni, ndër të shumtët që flasin rreth pijeve energjike, thonë se më të rinjtë në moshë mund të ndihen klinikisht keq nëse nuk pijnë aq sa është normale dhe dëmi në tru është si ai i pijeve alkoolike. University of Maryland School of Public Health zbulon se djemtë që pinë jo më pak se një energy drink në javë pinë më pas edhe sasi të mëdha alkooli. Dhe intoksikimi mund të sjellë edhe takikardi, shqetësime gastrointestinale, axhitim psikomotorik dhe në raste të rralla edhe vdekje.

E më mirë t’i dimë të gjitha këto se mos t’i dimë sa herë që do të shijojmë të papërsëritshmet pije energjike. Dhe ashtu si thotë populli: “pijet me energji, por dhe energjia me karar…”

Author: admin