Luks në varfëri

Kosovarët për duhan, alkool dhe veshje nuk kursejnë hiç. Sipas ESK`së, për duhan dhe veshje, një familje kosovare harxhon mbi 500 euro në vit, prej 6.847 euro sa i ka në dispozicion. Ndërsa për ushqim, pije joalkoolike dhe rekreacion i shpenzojnë deri 2.442 euro. Shpenzimet për arsim dhe shëndetësi janë në rënie dhe shumë më të vogla.Me gjithë varfërinë në rritje, kosovarët dinë të bëjnë jetë luksi. Pas ushqimit, alkooli dhe duhani konsumohen me të madhe. Për këto dy kategori shpenzohen 231 euro në vit dhe 300 euro tjera veshmbathje prej 6.847 eurove, sa i ka mesatarisht në dispozicion një familje kosovare brenda vitit.

Por, si për çudi, pak më konservativë sa i përket shpenzimeve, kosovarët tregohen në arsim dhe shëndetësi.

Në bazë të kësaj, të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës mbi buxhetin e ekonomive familjare për vitin 2009 nxjerrin ushqimin, banimin, transportin, veshmbathjet si dhe alkoolin e duhanin si kategoritë më të konsumueshme.

Prej 6.847 euro, sa është mesatarisht konsumi për një familje në Kosovë, pjesa më e madhe e këtij buxheti shpenzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, duke arritur në 2.442 euro për këtë kategori. Megjithatë, krahasuar me vitin 2008, ushqimi dhe pijet joalkoolike paraqesin rënie prej 5 për qind.

“Kjo pjesëmarrje më e vogël e buxhetit të shpenzuar për këto kategori tregon një mirëqenie më të lartë”, thuhet në anketën mbi ekonomitë familjare.

Një pjesë bukur e mirë e parave shkon edhe për banim. Në fakt, kjo kategori radhitet e dyta si më e “shtrenjta”. Kështu sepse për të shpenzohen 2.432 euro brenda vitit, apo 36 për qind e buxhetit të një familjeje kosovare.

Rreth 45 për qind e popullsisë në Kosovë është e varfër, më një pjesë tjetër prej 18 për qind të rrezikuar nga varfëria. /Express/

Author: admin