Kërcënon kriza e çmimeve

Organizata Botërore e Ushqimit paralajmëron se bota po kërcënohet nga një krizë e fortë çmimesh, e cila mund të shpërthejë vitin e ardhshëm. Në raportin e fundit për ushqimin të publikuar vetëm një ditë më parë, FAO vëren se prodhimi bujqësor për këtë vit ka rënë, dhe rezervat pritet të ulen. Kjo situatë e ofertës së ulët po përcillet me rritje të çmimeve në tregjet botërore, gati për shumicën e prodhimeve bujqësore.

Pas rritjes së fortë të drithërave gjatë verës, të tjerë artikuj ushqimore janë duke shënuar rritje çmimesh. Organizata e Ushqimeve vëren se çmimet e sheqerit kanë arritur nivelin më të lartë të 30 viteve të fundit, ndërkohë që shtrenjtim të forta ka edhe për mishin dhe produktet e bulmetit.

Përgjatë gjithë gjashtë muajve të fundit çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar vetëm rritje. FAO paralajmëron se rritje mund të jetë edhe më e madhe vitin që vjen nëse prodhimi botëror nuk do të rritet ndjeshëm.

Por ushqimet nuk janë të vetmet produkte që po shtrenjtohen. Edhe lëndët e para po shënojnë rritje çmimesh. Sipas “Financial Times”, mineralet dhe lëndët e tjera bazë që përdoren në industri janë shtrenjtuar me 23 për qind krahasuar me vitin e kaluar, karburantet me 10.6 për qind dhe ato të shërbimeve në tërësi me 21.7 për qind. Inflacioni që vitin e kaluar në Eurozonë ishte nga 0-1 për qind tani në shumë vende po kapërcen nivelin 4 për qind.

“The Economist” liston disa arsye se pse çmimet po rriten. E para ka të bëjë me politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shtetit Amerikan, e cila ka vazhduar të injektojë sasia të mëdha dollarësh në ekonomi, ndërsa një shkak tjetër është rritja e kërkesës botërore, sidomos nga vendet në zhvillim.

Author: admin