Emmy, provokuese dhe e pandalshme!

Njihet në publik me emrin Emmy. Është shfaqur në ekranet televizive me videoklipe e performanca provokuese, pamje të cilat e kanë ndihmuar për të bërë shpejt bujë. Me një titull po aq provokues sa edhe vetë ajo në klip…”A ma jep”, me skena të nxehta, të kujtojnë Kim Basinger dhe Mickey Rourke në ”9 javë e gjysmë”.
Këngëtarja Emmy për të konfirmuar se është një uragan i paparashikuar jo vetëm në skenë, por edhe duke eksperimentuar me look-un e saj, ka vendosur që performancat e saj provokuese nga jeta e përditshme t’i zhvendosë në ekran.
Emmy paraqitet në këtë klip më seksi se kurrë. Për më tej, na tregon vetë ajo…

Për çfarë flet kënga jote “A ma jep?”
Kënga flet për marrëdhënien e një çifti, një loje midis mashkullit dhe femrës ku si njëri, edhe tjetri, kërkojnë diçka më shumë nga ajo lidhje, të japin dhe të marrin më shumë nga njëri-tjetri e, në këtë rast, në klip kjo përcillet në mënyrë të figurshme, nëpërmjet diçkaje materiale, domethënë, ushqimit, frutave që më jep djali në klip dhe që unë ia jap atij.

Titulli është shumë provokues. Është vënë me qëllim?
Qëllimi im në këtë këngë ka qenë të jem me një ‘look’ ndryshe, si dhe të sillja një këngë provokuese, sigurisht, edhe sa më shumë seksi, ndaj edhe titulli është vënë i tillë. Ideja për të, ka qenë e Flori Mumajesit, që është edhe kompozitori i këngës, por edhe bashkëpunëtor i tekstit, së bashku me Ronela Hajatin.

Çfarë reagimesh ke pasur, sa i përket titullit?
Klipi është komentuar shumë pozitivisht dhe është pëlqyer shumë. Deri tani, kam marrë shumë urime, si nga shoqëria ime, ashtu edhe nga publiku.

Cila mendon se është e veçanta e këtij klipi, krahasuar me të tjerët?
Sa më takon mua, gjithçka është e veçantë. Kënga është një rrymë e re, këtë herë jam paraqitur në RnB, ‘look-u’ është komplet tjetër, seksi e provokues dhe fabula paraqet shumë ngjyra, në marrëdhënien mes një çifti. Me pak fjalë, jemi përpjekur të sjellim një këngë ndryshe e seksi dhe mendoj se ia kemi arritur. (Buzëqesh)

Skena me frigoriferin dhe djalin që të ushqen, të kujton filmin “9 javë e gjysmë” me Mickey Rourke dhe Kim Basinger. Të pëlqen ai film?
Po, është e vërtetë që kanë ngjashmëri, por klipi nuk ka lidhje me filmin pasi ne përpiqemi që nëpërmjet klipit, t’i japim publikut një ide tjetër. Por, sigurisht që e kam parë filmin dhe më pëlqen shumë marrëdhënia e çiftit dhe lojërat mes tyre. (Qesh)

Do të kishe dashur të përjetoje një histori të njëjtë pasioni dhe dashurie?
Po, pse jo?! Të gjitha janë pjesë e jetës dhe kurrë nuk i dihet se çfarë mund të përjetojmë në këtë jetë. Gjithçka është e pranueshme. (Qesh)

Menaxhimi në një profesion si ky është i rëndësishëm. Ndërkohë, ty të menaxhon edhe vëllai. Kjo t’i bën gjërat më të lehta apo do të kishte qenë më mirë vetëm me një menaxher profesionist?
Unë, fatmirësisht, i kam të dyja llojet e menaxhimit; edhe vëllanë, edhe menaxherin profesionist, por kuptohet që te vëllai kam besim 100%, ndryshe nga një i huaj.

Cilat janë aspiratat e tua për muzikën në vazhdim? I ke idetë e qarta në këtë pikë?
Do të vazhdoj të këndoj në rrymën RnB, rrymë së cilës i përket edhe kënga “A ma jep” sepse më përshtatet shumë ai stil, e gjej shumë veten në të dhe e siguroj publikun që do të ketë shumë surpriza të bukura për të në vazhdim.

Çfarë mendon se të dallon nga këngëtaret e tjera?
Të gjitha këngëtaret kanë veçoritë e tyre e po ashtu, edhe unë. Mendoj se kam diçka të veçantë në mënyrën si këndoj, në ‘look’, si dhe në kërcim, por kjo nuk do të thotë që edhe të tjerat nuk kanë diçka të veçantë, në dallim nga unë.

Suksesin e cilës prej këngëtareve të vendit ose të huaja do të dojë të kishe?
Nuk do të më pëlqente të kisha suksesin e dikujt tjetër përveç suksesit tim dhe të ndryshëm nga të tjerët Nuk më pëlqen të jem copy-paste i dikujt tjetër, qoftë ai këngëtar shqiptar apo i huaj…

Kur e ndjen veten vërtet femër?
Në jetë ka shumë momente kur mund të ndihem vërtet femër. Nuk mund të veçoj një moment, ka shumë …

Ndërhyrjet plastike kanë mbërritur tashmë edhe te ti….
Unë nuk kam thënë që kam bërë ndonjë ndërhyrje plastike, nuk është e vërtetë ajo që është shkruar në media …

U dorëzohesh edhe flirteve, herë pas here?
Jo, aspak sepse edhe koha e lirë është shumë e pakët. Edhe atë pak kohë që e kam, përpiqem ta shfrytëzoj për të fjetur. (Qesh)

Cili mashkull do të arrinte të ta rrëmbente shpirtin dhe mendjen?
Ai që do të ishte vetvetja, që do të më bënte ta kaloja shumë bukur kohën me të dhe të më bënte atë klikun në zemër …

Mashkulli i parë që ke njohur dhe të ka pëlqyer…
Ashtu si të gjitha vajzat në moshë të vogël, edhe për mua, mashkulli i parë me të cilin jam dashuruar do të ketë qenë aktori i ndonjë filmi romantik.

Zakonisht, si prezantohen dhe të drejtohen meshkujt që kërkojnë të njihen me ty?
Shumë thjesht dhe normal më prezantohen të gjithë meshkujt dhe në përgjithësi, të gjithë kërkojnë të më njohin nga afër si jam si tip, në mënyrë shoqërore.

Mendon se është e gabuar të kesh marrëdhënie me dikë që në takimin e parë?
Po, sigurisht që është e gabuar se nuk e njohin njëri-tjetrin dhe kjo lloj marrëdhënieje, përgjithësisht, nuk zgjat më shumë se disa ditë. Është krejtësisht e gabuar nga të dyja palët.

Nëse mikja jote më e mirë bie në dashuri me të dashurin tënd, si do ta prisje dhe si do ta menaxhoje të gjithë këtë histori?
Një gjë e tillë, fatmirësisht, nuk më ka ndodhur dhe nuk besoj se do të më ndodhë ndonjëherë, pasi mikeshat e mia të vërteta janë pak dhe unë kam shumë besim tek ato. E përjashtoj si mundësi.

Është mirë t’i ruash kontaktet e ndoshta edhe miqësinë me ish-të dashurin? A mund të mbetet mik ai?
Po, mendoj se mund të mbetesh mikeshë me të. Varet sigurisht edhe nga fakti se ç’marrëdhënie ke pasur me ish-të dashurin, por nëse ke kaluar momente vërtet të bukura me të, pse të mos ruash kontakte thjesht shoqërore edhe pas ndaljes? Nuk shoh asgjë të keqe në këtë mes.

Kur një mashkull konsiderohet një dështim?
Për mendimin tim, është i tillë kur është jashtëzakonisht xheloz, jo i vërtetë në lidhje, si dhe shumë kokëfortë.

Mendon se është interesante të luash paksa me seksin tjetër?
Jo, absolutisht, nuk më pëlqen. Nuk do të më dukej e drejtë, mbi të gjitha.

Çfarë nuk do t’ia falje kurrë të dashurit tënd?
Tradhtinë dhe xhelozinë e tepruar.

Author: admin